Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj deklaroi sot në Parlament se ka ardhur kohë që SPAK të marrë të pandehur Partinë Socialiste.
Sipas Shehajt, zyrtarët e lartë të hetuar, arrestuar apo dënuar nga drejtësia kanë një të përbashkët, ata janë anëtarë të Partisë Socialiste.
“Mos harrojmë që SPAK-u dhe drejtësia më në fund kanë nxjerrë para drejtësisë Ballukun, Ahmetajn, Veliajn, Beqajn. Këta kanë një gjë të përbashkët të gjithë. Janë të gjithë anëtarë të Partisë Socialiste. Mesa duket SPAK-u duhet të marrë të pandehur Partinë Socialiste z. kryetar. Sepse Partia Socialiste i ka bërë një dëm prej miliarda euro këtij vendi. Nëse nuk ka ilaçe në (Spitalin) Onkologjik, është sepse Partia Socialiste i dha këtij vendi disa qeveri të korruptuara. Kjo është arsyeja pse shqiptarët po ikin dhe prandaj SPAK-u ka ardhur momenti, që SPAK-u të marrë të pandehur Partinë Socialiste” – u shpreh Agron Shehaj.
Kryetari i Partisë Mundësia deklaroi se në Shqipëri jemi përpara një momenti historik. Kjo është edhe arsyeja pse, sipas Shehajt, presioni dhe kërcënimet ndaj drejtësisë dhe prokurorëve janë shtuar nga kryeministri Edi Rama.
“Unë mendoj që është shumë e rëndësishme në fakt ajo që po ndodh në Shqipëri. Jemi përpara një momenti historik. Më në fund të korruptuarit, pavarësisht se kush janë, pavarësisht se sa pushtet kanë, po dalin para drejtësisë.
Z. kryetar, kryeministri i Shqipërisë, i cili ka vartësen e vet të pandehur nga SPAK-u, po sulmon përditë drejtësinë. Po sulmon përditë SPAK-un. Po sulmon përditë prokurorët. Prokurorët vetë kanë thënë që janë ndjerë të kërcënuar. Kanë zbuluar dhe atentate bile. Kjo është shumë e rëndë z. kryetar. Ekzekutivi dhe kjo mazhorancë ushtrojnë presion ndaj drejtësisë duke përdorur dhe Gjykatën Kushtetuese” – u shpreh Agron Shehaj.