Kolegji nuk gjen dakordësinë, Gjykata Kushtetuese mblidhet të enjten për çështjen “Balluku”

Gjykata Kushtetuese do të mblidhet të enjten e 4 Dhjetorit për të vendosur nëse kërkesa e qeverisë për pezullimin e Belinda Ballukut do të kalojë ose jo për shqyrtim.

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese nuk arriti të gjente dakordësinë për për kalimin ose jo të çështjes për shqyrtim, ndaj tashmë çështja i ka kaluar mbledhjes së gjyqtarëve për t’u shprehur.

Në rast se nuk do të ketë 5 vota në favor të mosshqyrtimit, atëherë çështja do të kalojë automatikisht për shqyrtim, ku do të vendoset nëse pezullimi i Belinda Ballukut do të qëndrojë ose jo në fuqi.

“Në vijim të njoftimit të mëparshëm për çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Gjykata bën me dije si vijon: Kolegji i Gjykatës u mblodh sot në datën 02.12.2025, sipas planifikimit, për shqyrtimin paraprak të kërkesës. Kolegji vendosi kalimin e çështjes në Mbledhjen e Gjyqtarëve për të vlerësuar nëse plotësohen bashkërisht të gjitha kriteret e pranueshmërisë së saj për shqyrtim në seancë plenare në përputhje me nenin 31 të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese dhe nenin 24 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore”, njoftoi Gjykata Kushtetuese.

Belinda Balluku, është marrë zyrtarisht e pandehur, në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe.

Ndërsa për Gentian Gjylin, drejtor i ARRSH dhe Erald Elezin, administrator i KESH, u vendos masa e sigurisë “arrest shtëpie”.

Gjykata vlerësoi se masat ndaj Ballukut, pezullim detyre dhe ndalim për të dalë jashtë vendit dhe arrest shtëpie ndaj vartësve të saj janë vënë pasi ekziston rreziku që të pandehurit të largohen.

“Gjykata vlerëson se, në rastin konkret ekziston rreziku i largimit të të pandehurve të sipërcituar, nisur nga sanksioni dhe marzhi i lartë që parashikon ligji për veprën penale që ata dyshohen, konkretisht nga një deri në pesë vjet burgim për veprën penale të parashikuar nga neni 258 i K.Penal, duke marrë parasysh rrethanën se të pandehurit dyshohen për këtë vepër penale të kryer dy here dhe në bashkëpunim”, sqarohet në vendimin e GJKKO.