Ish-shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, u ndalua nga policia ditën e sotme, pasi autoritetet zhvilluan bastisje në kuadër të një hetimi për një skemë të dyshuar mashtrimi të lidhur me trajnimin e diplomatëve evropianë.
Mogherini, e cila shërbeu si përfaqësuese e lartë për politikën e jashtme nga viti 2014 deri në 2019, aktualisht drejton shkollën pasuniversitare Kolegji i Europës, ambientet e së cilës u kontrolluan bashkë me zyrat e Shërbimit Europian për Veprim të Jashtëm (EEAS).
52-vjeçarja italiane u arrestua në Bruksel së bashku me zëvendësdrejtorin e shkollës së trajnimit, si edhe Stefano Sannino-n, një zyrtar të lartë të BE-së që ka qenë sekretar i përgjithshëm i EEAS nga viti 2021 deri në 2024.
Mogherini është një nga miket e veçanta të kryeminbistrit Rama, siç e ka cilësuar ai vetë, teksa vetëm pak javë më parë ishte në vendin tonë për të inauguruar vitin e ri akademik.
Gjithashtu diplomatja italiane ishte një nga mbështetëset më të mëdha të Reformës në Drejtësi, si dhe të kryeministrit Rama, aq sa u akuzua se ishte e njëanshme në politikën shqiptare.
Në vitin 2023 Universiteti i Tiranës e nderoi me titullin “Doctor Honoris Causa”, teksa 2 vite më pas ajo gjendet nën akuzë për mashtrimk me tenderat. Për ironi të fatit, Mogherini ëhstë mikja tjetër e Ramës që ka një akuzë të tillë, pas Belinda Ballukut.
Me çështjen e kësaj të fundit Rama po merret vetë personalisht duke sulmuar SPAK dhe GJKKO e duke kërkuar rikthimin e saj në detyrë në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa nuk dihet nëse do të ketë edhe një reagim për arrestimin e Mogherinit.
A është parë ndonjëherë që të arrestohet një zyrtare se ka vjedhur pa vendim të formës së prerë? Në Europë po, në Shqipëri po presim…
Çfarë ndodhi sot në Belgjikë
Prokuroria Publike Evropiane (EPPO) njoftoi se bastisjet u kryen në Kolegjin e Europës, në qytetin belg të Bryzhit, dhe në zyrat e EEAS-it në Bruksel. “Tre persona u ndaluan” në lidhje me këto operacione, si “pjesë e një hetimi mbi një mashtrim të dyshuar të lidhur me fondet e BE-së për trajnimin e diplomatëve të rinj”, thuhej në deklaratën e EPPO-s.
Bastisjet, të kryera nga policia federale belge me kërkesë të EPPO-s, përfshinë gjithashtu edhe banesat e të dyshuarve, thanë prokurorët. Në qendër të hetimit është një program nëntëmujor trajnimi për diplomatët e rinj nga shtetet e BE-së, i njohur si Akademia Diplomatike e Bashkimit Evropian.
Programi iu dha Kolegjit të Europës nga EEAS gjatë periudhës 2021–2022 dhe hetimi shqyrton nëse procedura e tenderit është manipuluar për të favorizuar shkollën. Mogherini është njëkohësisht drejtuese e Kolegjit të Europës dhe e Akademisë Diplomatike të BE-së.
“Sipas dyshimeve të forta, informacione konfidenciale të lidhura me një proces tenderimi në zhvillim janë ndarë me një nga kandidatët pjesëmarrës,” thuhej në deklaratën e EPPO-s.
Komisioni Evropian konfirmoi kryerjen e bastisjeve. “Mund të konfirmojmë se policia ka qenë sot në ndërtesat e EEAS-it, dhe kjo është pjesë e një hetimi të vazhdueshëm mbi veprimtari që kanë ndodhur gjatë mandatit të mëparshëm,” tha zëdhënësja e komisionit, Anitta Hipper.
EPPO bëri të ditur se kishte kërkuar dhe marrë heqjen e imunitetit për disa të dyshuar përpara bastisjeve. Nëse konfirmohen, akuzat “mund të përbëjnë mashtrim në prokurim publik, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional,” deklaroi prokuroria. “Hetimi është në vazhdim për të sqaruar faktet dhe për të vlerësuar nëse janë kryer vepra penale,” shtoi ajo.
EPPO është zyra e pavarur e prokurorisë së BE-së, përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër interesave financiare të Unionit. Hetimi mbështetet gjithashtu nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), të cilës iu raportuan për herë të parë akuzat.