SPAK thellon hetimet për çështjen “Bankers”, nën hetim Tatimet dhe strukturat e pushtetit vendor

Prokuroria e Posaçme ka thelluar hetimet për aferën “Bankers Petrolium”, pasi kanë vënën nën hetim edhe ish-zyrtarë të Tatimeve dhe strukturave të pushtetit vendot, që dyshohet se kanë lejuar për vite me radhë abuzime me TVSH-në dhe detyrimet e tjera.

Tashmë SPAK po e heton këtë dosje për disa vepra penale: “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”, “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Sipas hetimeve paraprake, kompania “Bankers Petroleum Albania Ltd” rezulton të ketë dalë me humbje për çdo vit nga viti 2004 deri në fund të vitit 2024 – një periudhë 20-vjeçare gjatë së cilës shteti shqiptar nuk ka përfituar asnjë të ardhur nga fitimet e kësaj kompanie, ndonëse ajo ka nxjerrë dhe tregtuar sasi të mëdha nafte në zonat e Patos-Marinzës në Fier.

Lexo edhe: Nga Nano te Berisha e Rama: Kronika e 3 qeverive që legalizuan vjedhjen e naftës nga Bankers, SPAK të nisë hetimet

Nga të dhënat e grumbulluara rezulton se kompania ka realizuar shitje dhe eksporte në vlerën prej mbi 532 miliardë lekësh, ndërkohë që ka deklaruar shpenzime që tejkalojnë këto të ardhura, duke dalë çdo vit me humbje. Në këtë mënyrë, ajo ka shmangur pagesën e tatimit mbi fitimin dhe dyshohet se ka përfituar rimbursime fiktive të TVSH-së në shuma që arrijnë në miliona euro.

Nga hetimi rezulton se kompania dyshohet të ketë manipuluar bilancet financiare përmes rritjes fiktive të shpenzimeve, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore. Prokuroria thotë se janë përdorur dokumente të falsifikuara dhe janë kryer transaksione financiare të dyshimta me kompani dhe individë brenda dhe jashtë vendit. Skemat janë ndihmuar edhe nga kontraktorë të tjerë, duke përfshirë një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh.