Plagosja me thikë e 15 vjeçarit në Durrës, mjeku: Ka 4 plagë në gjoks, ështe ende në intubim

Mjeku i spitalit të Durrësit Fitim Shini ka dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të 15 vjeçarit E.B, i cili u plagos me thikë nga një 14 vjeçar, i cili u arrestua nga policia.

Mjeku thotë se 15 vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë, i shtruar ne reaminacion. Në një komunikim për mediat, mjeku Shini sqaroi se i mituri ka mbërritur në urgjencë me 4 plagë në zonën e gjoksit, ku njëra prej tyre po depërtonte në zemër, çka i ka shkaktuar gjendjen e rënduar.

Ai tha se shpreson që në orët në vijim gjendja e 15 vjeçarit të përmirësohet.

Për momentin pacienti ndodhet në reanimacion, i intubuar dhe gjendja vazhdon të jetë e rëndë. Shpresoj që në 24/48 orët e ardhshme gjendja të stabilizohet dhe të dalë nga reanimacioni.

Fëmija erdhi në urgjencë me disa plagë, 4 plagë në rajonin e gjoksit, ku njëra prej tyre depërtonte në zemër dhe ka shkaktuar gjendjen e rënduar.

Aktualisht ka marrë 3 flakone gjak dhe për momentin gjendja vazhdon të jetë e rëndë në reanimacion. Shpresojmë që në orët në vijim situata të përmirësohet“, u shpreh mjeku Fitim Shini.

Kujtojmë se sherri mes dy të miturve ndodhi për motive banale, siç njoftoi policia. Kjo e fundit njoftoi po ashtu për arrestimin e autorit për veprat penale: “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

“Nga veprimet e para hetimore të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, rezultoi se gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi i mitur M. K., 14 vjeç, banues në Durrës, dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin E. B., 15 vjeç, duke i shkaktuar atij plagë të rënda. I dëmtuari aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës, nën kujdesin e mjekëve”, njofton Policia.