Gara për kreun e ri të BKH-së/ Komisioni i posaçëm dërgon emrin në KLP, kandidati që renditet i pari

Ka përfunduar sot procesi i vettingut dhe kontrollit të pastërtisë së figurës për kandidatët që synojnë drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Rezultatet përfundimtare tashmë i janë dorëzuar komisionit të posaçëm të përbërë nga kreu i SPAK-ut Altin Dumani, bashkë me anëtarët Arben Kraja dhe Behar Dibra.

Në garën për Drejtorin e BKH-së janë shtatë kandidatë Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.

Tani komisioni për përzgjedhjen e drejtorit të BKH-së do të shikojë rezultatet përfundimtare të Komisionit të Posaçëm dhe do të bëjë edhe renditjen përfundimtare.

Burime për mediat bëjnë me dije se Gentian Ndoi kryeson listën fillestare të renditjes, por komisioni ka të drejtë të zgjedhë mes tre kandidatëve të renditur më lart, përpara se të dërgojë propozimin zyrtar në KLP.

Kujtojmë së në prill të këtij viti, SPAK hapi garën për kreun e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit pasi mandati i Aida Hajnajt përfundoi në datën 31 gusht.