Ashtu siç kryeministri Edi Rama e paralajmëroi gjatë konferencës së përbashkët me Komisioneren për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, Këshilli i Ministrave iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar pezullimin e vendimit të GJKKO për zv.kryeministren Belinda Balluku.
Në dokumentin e bërë publik, qeveria kërkon pezullimin e vendimit të GJKKO vetëm për pjesën e pezullimit nga detyra të Belinda Balluku, duke pretenduar se se ky vendim prek interesa të lartë shtetërorë, shoqërorë, por edhe të vetë individëve.
Sipas qeverisë, vendimi i GJKKO për të pezulluar nga detyra Ballukun cenon kompetencat e tre institucioneve kushtetuese: Kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit.
“Pezullimi sjell pasoja të rënda të interesit shtetëror e shoqëror duke krijuar vakuum institucional, pasi pamundëson propozimin e projekteve me rëndësi kombëtare për integrimin në Bashkimin Evropian, rreth 800 projekte për t’u miratuar deri në fund të 2027 nga ministria që drejtohet nga ministri i pezulluar”, argumenton Këshilli i Ministrave në dokument.
Sipas qeverisë, Balluku nuk mund të pezullohej nga detyra, pasi në cilësinë e anëtares së Këshillit të Ministrave gëzon të njëjtat të drejta me deputetët.
Kujtojmë së pak ditë më parë, GJKKO vendosi të pezullojë Ballukun nga detyra e zv/kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe e ndalon të dalë jashtë vendit, pasi është e pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për tenderin e loti 4 të Unazës së Madhe.