AZHBR-ja “fole korrupsioni”, vajza drejtoreshë miraton projektin e të atit, i jep rreth 150 milionë lekë grant

Skandali me fondet e IPARD duhet ta kishte bërë AZHBR-në të reflektonte dhe të mos vazhdonte abuzimin me fondet për fermerët, por për fat të keq ka ndodhur e kundërta, pasi ky institucion vijon të jetë një fole korrupsioni.

Rasti i fundit ka të bëjë me një abuzim të pastër me detyrën, ku vajza i miraton fondin të atit.

Ardit Bënja, kreu i FRPD-së në Kuçovë, si çdo fermer tjetër ka realizuar dosjen e projektit në një studio projektesh që drejtohet nga inxhinieri Ylli Ago, duke kërkuar nga AZHBR të subvencionohet për ngritjen e një stalle lopësh me vlerë 28.830.911 lekë të reja, por që sipas rregullit, atij i takon të marrë 50% të investimit.

Deri këtu është gjithçka në rregull, por abuzimi fillon kur kjo dosje shkon në AZHBR. Dosjen e shqyrton Ana Ago, që mban postin e inspektores pranë Drejtorisë së Përzgjedhjes së Pranimit të Projekteve, e cila është vajza e Ylli Agos, inxhinierit që realizoi projektin.

Sigurisht që vajza nuk mund të mos pranojë projektin e të atit, ndaj e firmos menjëherë dhe i jep të drejtë Ardit Bënjas të përfitojë grantin prej 14.415.455 lekë të reja.

Por nuk mbaron këtu, pasi nuk është vetëm Ana ago që ka firmosur. Kontrata është firmosur edhe nga drejtoresha e përgjithshme e AZHBR, Ardita Kuçi, që e reklamoi edhe si histori suksesi ndërtimin e kësaj stalle, si pjesë e propagandës së qeverisë.

AZHBR alokoi një fond prej 1.5 miliardë lekësh për të zëvendësuar fondet e ngrira nga programet IPARD, që duket se do të jetë e vështirë të zhbllokohen edhe për disa vite, derisa përgjegjësit të shkojnë përpara drejtësisë për grabitjen e 33 milionë eurove, sipas shifrave të OLAF.

Por, nuk ka rëndësi nëse janë fonde shqiptare apo europiane, AZHBR është e vendosur që miliardat të shkojnë te miqtë dhe të afërmit e pushtetit, duke i lënë fermerët në mëshirë të fatit.