“Foltorja 2″/ Nis protesta e opozitës para Kryeministrisë

Ka nisur para Kryeministrisë protesta e dytë e opozitës, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe zv.kryeministres, Belinda Balluku, pasi kjo e fundit u pezullua nga detyra e saj nga GJKKO, pas abuzimeve në tunelin e Llogarasë dhe lotit 4 të Unazës së Madhe.

Protestuesve para Kryeministrisë iu bashkua edhe kryedemokrati Sali Berisha, i cili u nis nga banesa e tij, në rrugën Mustafa Matohiti.

Kjo është foltorja e dytë e opozitës, por e para që mbahet pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për të pezulluar Ballukun.

Partia Demokratike ka deklaruar se tubimet para selisë së qeverisë do të zhvillohen çdo javë deri sa të japë dorëheqjen kryeministri Edi Rama dhe numri dy i qeverisë Belinda Balluku.

Belinda Balluku, është marrë zyrtarisht e pandehur, në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe.

Ndërkohë Qeveria dërgoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e GJKKO për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut.

Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me komisioneren e Zgjerimit të Bashkimit Europian, të premten e kaluar sulmoi SPAK dhe GJKKO duke thënë se nuk ka ndodhur në asnjë vend që një prokuror dhe një gjyqtar të bëhen bashkë dhe të pezullojnë një anëtar qeverie.

Madje Rama e cilësoi si një rast unikal në Europë dhe pretendoi se ishte një ndërhyrje brutale në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv.