Kryeministri Edi Rama ka sulmuar SPAK dhe GJKKO pas hetimeve dhe pezullimit nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku.
Gjatë konferencës për shtyp me komisionern për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, Rama tha pezullimin e Ballukut do të dërgojnë në Gykatën Kushtetuese, me pretendimin si një akt brutal ndërhyrje në pushtetin ekzekutiv.
“Nuk u kuptuam. Pezullimi është vendim i një gjykate që ne do ta përcjellim në Kushtetuese si një akt brutal ndërhyrje në pavarësisë e pushtetit ekzekutiv. Gjykata Kushtetuese do duhet të na thotë se cili është qëndrim i asaj bazuar mbi Kushtetutë. Nuk jemi në kushtet që duke ndërhyrë me forcë në pavarësinë e ekzekutivit, mund të diktohet ndonjë lëvizje e qeverisë. Kështu që për periudhën që flasim, qeveria e Shqipërisë nuk ka zv.kryeministër dhe nuk ka një ministër të Infrastrukturës dhe Energjisë që funksionon”, tha Rama.
Sipas Ramës, nuk ka ndodhur kurrë që një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen “kokë më kokë” dhe të pezullojnë një anëtar qeverie, duke e konsideruar si rast unikal.
“Ky është një rast unikal në historinë e Europës dhe po ashtu edhe në historinë e trupave speciale të drejtësisë që janë krijuar në proceset e integrimit europian të vendeve të ish-Lindjes komuniste, ku s’ka ndodhur kurrë që një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen kokë më kokë dhe të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie. Por nëse një prokuror dhe gjykatës special, i shkallës së parë të speciales në Shqipëri, kanë vendosur të pezullojnë një ministër, cenimi i drejtpërdrejtë i një pushteti tjetër të pavarur, zgjedhja jonë në këtë fakt është strategjikja si gjithmonë, për ta ruajtur dhe mbështetur pavarësinë e gjyqësorit si parakusht. Ne nuk mund t’i përgjigjemi një arbitrariteti të këtyre përmasave me asnjë arbitraritet. Por do të vazhdojmë me durimin tonë strategjik. Do ta respektojmë pa kushte vendimin e pezullimit të ministres dhe në ndërkohë do të kërkojmë mbrojtjen e pavarësisë së funksionimit të cenuar të qeverisë, te drejtësia, në Gjykatën Kushtetuese. Këto jemi ne. Mbrojtja e pavarësisë së re dhe jo të përkohshme të sistemit të drejtësisë është prioriteti ynë absolut edhe përballë situatave kaq flagrante sa kjo situatë, për të cilën po drejtësia duhet të gjejë përgjigjen kushtetuese”.