Kryebashkiakja e re e Vlorës pritet me protesta në ditën e parë të punës

Brunilda Mersini ishte kandidatja e Partisë Socialiste që fitoi në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë Vlorë, të cilat u mbajtën më datë 9 Nëntor.

Mersini, e cila la mandatin e deputetet për të garuar si kryebashkiake, ka marrë sot detyrën e saj të re.

Megjithatë ajo është pritur me protesta nga qytetarët e Vlorës, të cilët janë mbledhur përpara bashkisë për të protestuar kundër aksionit të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), për lirimin e hapësirave publike.

Aksioni ka nisur që prej muajit korrik të këtij viti, jo vetëm në qytetin bregdetar, por në të gjithë vendin dhe është shoqëruar shpesh edhe me protesta nga qytetarët dhe pronarët e bizneseve.

Kujtojmë se zgjedhjet në Vlorë u zhvilluan pas dorëheqjes së Ermal Dredhës, i cili tashmë ka marrë detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Zvicër.