Largoi nga vendi i krimit vrasësit e Fatbardh Licit, del nga qelia ish-e dashura e Safet Bajrit

Gjykata e Posaçme ka liruar nga qelia, Eria Agon, ish-të dashurën e Safet Bajrit. Mësohet se GJKKO ka zbutur masën e sigurisë ndaj Agos, nga arrest me burg në arrest shtëpie.

Eria Ago, e cila është arrestuar në mars të këtij viti, akuzohet se ka përkrahur autorët e vrasjës së Fatbardh Licit, duke i larguar me makinë nga vendi i ngjarjes.

Raportohet se SPAK ka në dorë disa biseda të saj dhe Safet Bajrit, ndërsa vetëm një ditë para ngjarjes, më 19 gusht, mendohet të ketë qenë duke festuar me Safet Bajrin në tallava në Tiranë.

Eria Ago, ka mohuar akuzat e ngritura ndaj saj, duke thënë se nuk ka dijeni në lidhje me ngjarjen.

Për krimin e ndodhur në vitin 2018, në pranga kanë rënë Safet Bajri, i njohur si i ‘forti’ i Dobraçit, Behar Bajri dhe Astmer Bilali.

Sipas hetimeve të SPAK, vrasja e Fatbardh Licit erdhi si hakmarrje për ekzekutimin e ish-policit Boran Bërçana dhe partneres së tij Silvi Ndoci. Skena e krimit tronditës në korrik të 2018-ës ka ndodhur përpara syve të djalit 2-vjeçar.