Kosova shkon në zgjedhje të reja, Presidentja Osmani cakton datën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë për mediat datën e zgjedhjeve të reja, një ditë pasi Glauk Konjufca dështoi në formimin e qeverisë së re.

Osmani ka vendosur që zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Data është vendosur pas konsultimeve që Osmani bëri me partitë politike në vend.

‘‘Data 11 janar është përjashtuar si mundësi. Te dy datat e mbetura, 21 dhe 28 dhjetor. Partitë politike janë deklaruar kryesisht për këto dy data. 8 parti janë deklaruar për 28 dhjetorin, 5 parti 21 dhjetor. Praktikisht kam vlerësuar se data 28 dhjetor është data që kam vlerësuar se mbetet data e vetme e mundshme sado që edhe kjo datë paraqet sfida për KQZ”, u shpreh Osmani gjatë konferencës për mediat.

Më herët gjatë kësaj të enjteje, Osmani nënshkroi vendimin për të shpërndarë Kuvendin, pasi një ditë më parë deputetët dështuan për herë të dytë që të zgjidhnin ekzekutivin e ri të vendit.

“Në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, si dhe pas pranimit sot të vendimit të Kuvendit të Kosovës lidhur me dështimin e krijimit të Qeverisë edhe nga mandatari i dytë, presidentja e Republikës së Kosovës ka shpërndarë sot legjislaturën e nëntë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.