Trump nënshkruan ligjin që urdhëron publikimin e dosjeve të Jeffrey Epstein

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka nënshkruar të mërkurën një ligj që detyron Departamentin e Drejtësisë të publikojë dosjet qeveritare të lidhura me hetimin e të ndjerit Jeffrey Epstein, i dënuar për abuzim seksual.

Sipas ligjit, Departamenti i Drejtësisë ka 30 ditë kohë për të bërë publike informacionet e mbledhura gjatë hetimeve për Epstein, megjithatë disa dokumente mund të mbahen të klasifikuara nëse lidhen me hetime ende aktive ose cenojnë privatësinë personale.

Ligji u miratua me mbështetje të gjerë në të dyja dhomat e Kongresit amerikan, pasi fillimisht Trump ishte shprehur kundër publikimit të dosjeve, duke e cilësuar nismën si një “mashtrim të demokratëve”. Vetëm javën e kaluar ai ndryshoi qëndrim pas presionit nga viktimat e Epstein dhe anëtarë të Partisë Republikane.

“E vërteta për demokratët dhe lidhjet e tyre me Jeffrey Epstein së shpejti do të dalë në pah, sepse SAPO KAM NËNSHKRUAR LIGJIN PËR PUBLIKIMIN E DOSJEVE TË EPSTEIN!”, shkroi Trump.

Megjithëse publikimi i dosjeve nuk kërkonte domosdoshmërisht miratim nga Kongresi, pasi presidenti mund ta urdhëronte vetë, Dhoma e Përfaqësuesve e votoi me 427 pro dhe vetëm 1 kundër, ndërsa Senati e miratoi me konsensus të plotë.

Dokumentet që pritet të publikohen përfshijnë materiale të mbledhura nga hetimet kriminale kundër Epstein-it, transkripte të intervistave me viktima e dëshmitarë, komunikime të brendshme të Departamentit të Drejtësisë, lista fluturimesh dhe të dhëna mbi individë e entitete të lidhura me të. Këto janë të ndryshme nga mbi 20 mijë faqet e tjera të publikuara javën e kaluar nga Kongresi, ndër të cilat përmendej edhe Trump.

Në ato dokumente gjendeshin mesazhe të vitit 2018 ku Epstein shprehej: “Unë jam ai që mund ta rrëzojë atë” dhe “E di sa i pistë është Donald”.

Trump ka pranuar publikisht se ka qenë mik me Epstein për shumë vite, por pretendon se marrëdhënia e tyre u prish në fillim të viteve 2000. Ai ka mohuar çdo përfshirje të paligjshme.

Duke folur për gazetarët, Trump u distancua nga rasti Epstein, duke thënë se “Republikanët nuk kanë të bëjnë fare me të”, ndërsa e quajti çështjen “problem të demokratëve”.

Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në vitin 2019, ndërsa përballej me akuza për trafik seksual. Ai kishte qenë dënuar më parë në vitin 2008 për prostitucion me të mitur. Financieri kishte lidhje me figura të shumta të njohura botërore, përfshirë Andrew Mountbatten Windsor, Donald Trump, këshilltarin e mëhershëm të Trump, Steve Bannon, si dhe personalitete nga media, politika dhe biznesi.

Sipas ligjit të ri, Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, duhet të publikojë të gjitha dokumentet jo të klasifikuara që lidhen me Epstein dhe bashkëpunëtoren e tij, Ghislaine Maxwell, e cila po vuan dënimin 20-vjeçar për trafik seksual. Megjithatë, disa pjesë mund të mbeten të fshehta nëse rrezikojnë hetime federale në vijim ose cenojnë privatësinë e viktimave.

Kongresmeni republikan Thomas Massie shprehu shqetësimin se disa informacione mund të mos publikohen me justifikimin e hetimeve të reja. “Jam i shqetësuar se mund të shpallen hetime të shumta të reja vetëm për të mos i bërë publike dosjet,” tha ai.