Mazhoranca dhe opozita kanë arritur dakordësinë në Konferencën e Kryetarëve për mocion me debat për situatën e krimit të organizuar në vend dhe masat që duhen marrë.
Ky mocion do të zhvillohet në seancën plenare të datës 18 Dhjetor, pasi në seancën e nesërme do të diskutohet buxheti i vitit 2026.
“Rregullorja përcakton që mocioni duhet të zhvillohet brenda 30 ditëve. Ne kemi dëgjuar institucionet e sigurisë, por mocioni lidhet me qeverinë. Pra, kërkon të njihet dhe të debatohet mbi masat që ka marrë qeveria. Kërkesa vjen në kuadër të raporteve ndërkombëtare që flasin për rritjen e fuqisë së krimit të organizuar dhe çmoj se është pikërisht momenti që të zhvillohet ky debat. Unë propozoj që debatit t’i caktohet data 18 dhjetor, sepse atë ditë parashikohet një seancë që ka vetëm njoftime dhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. Shtoni një pikë në rendin e ditës, që të jetë pikërisht debati për masat e qeverisë në raport me krimin e organizuar.”, tha Bardhi.
Sot, PD kërkoi edhe që të mos miratohet Paketa Fiskale, për shkak se deputetët kanë patur vetëm 24 orë kohë të njihen me të dhe se nuk është konsultuar ende me grupet e interesit.
Nesër pritet që të ketë një seancë maratonë, ku secili prej deputetëve do të ketë 10 minuta kohë për diskutim, siç është rënë dakort në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.