Berisha mohon fletë-thirrjen nga SPAK për 21 Janarin: Duan të krijojnë lajme për të mbuluar skandalin e Ballukut

Kryedemokrati Sali Berisha ka mohuar thirrjen e tij në Prokurorinë e Posaçme për çështjen e “21 Janarit”, duke thënë se nuk ka marrë asnjë fletë-thirrje për t’u paraqitur.

Ai tha se lajmet që qarkulluan në media kanë dalë vetëm për të mbuluar skandalin e Belinda Ballukut, teksa shtoi se as ku banon dhe as ku punon nuk është dorëzuar asnjë fletë-thirrje.

Për sa i përket “21 Janarit”, ai tha se ka qenë njeriu i parë që ka kërkuar që të hetohet protesta e asaj dite, si një përpjekje e dhunshme për të përmbysur një qeveri të ligjshme.

“Për ju dhe çdo gazetar tjetër që i respektoj. Do t’ju sugjeroja që mos të keqpërdoreni nga njerëz të papërgjegjshëm, të inkriminuar, mashtrues, të cilët e kanë kthyer atë institucion, një seksion të PS. Nuk e kam rastin për ju, por kam konstatuar keqpërdorim mizor të gazetarëve ndaj këtyre individëve, që më kujton keqpërdorimin që bënin seksionet e sigurimit të shtetit dikur ndaj personave të caktuar. E kam deklaruar dhe faktuar, se unë i përgjigjem thirrjes të gjykatës, së prokurorisë special, kudoqoftë.

Nuk ka asnjë lloj lëkundje nga unë në këtë qëndrim. Së dyti; ata që e fusin veten për të krijuar, e bëjnë veten në një propagandë banale të turpshme. Ata s’kanë fytyrë. Atij që i dorëzohet thirrja, i merret firma dhe thotë ‘e mora’. Aty ku punoj dhe banoj kam njerëz të përgjegjshëm. Ata nuk mund të mos firmosin për një dokument dhe mos të ma japin. Por kjo i intereson atij Troplinit. Sot është data 14 nëntor. Nga data 3 deri në 14 ai dokument mund të vinte në zyrën time 5 herë apo në shtëpinë time. Nuk ka më….e vetmja që u bë kjo është se puthadorë të qeverisë të krijonin lajme, apo të komentonin nëse do të shkojë apo jo, që të mbulonin super-skandalin e Lubi Ballukut. Njeriu i parë që kërkoi një hetim të plotë të asaj përpjekje të dhunshme për të përmbysur një qeveri të ligjshme, është Sali Berisha”, tha kreu i Partisë Demokratike.