Apeli i Posaçëm rrëzon kërkesën e Metës, ish-Presidenti mbetet në burg

Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e ish-Presidentit Ilir Meta për masë më të lehtë sigurie, duke e lënë në “arrest me burg”.

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, janë marrë të pandehur për korrupsion, pastrim parash dhe fshehjen e pasurisë.

Pjesë e kësaj dosje janë edhe Pirro Xhixho, i akuzuar për korrupsion, Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku, të dyja të akuzuara për pastrim parash.

Hetimet zbuluan një sërë skemash korruptive, përdorimin e influencës dhe pushtetit politik me qëllim favorizimin e bizneseve të caktuara kundrejt shpërblimit të marrë apo të premtuar, pastrim të produkteve të veprës penale, dhe fshehje të pasurive apo mosdeklarimi i shpenzimeve të konsiderueshme në deklaratat periodike të pasurive.

NJOFTIMI
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Saida Dollani, sot më 14.11.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 256 akti, datë 04.11.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurit I.M., me objekt: “Ankim kundër vendimit Nr. 672, datë 22.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Shuarjen e masës së sigurimit personal të “arrestit në burg” për të pandehurin I.M.” dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 672, datë 22.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
U shpall në Tiranë, me datë 14.11.2025.