Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Erion Veliajt, i cili edhe pse në burg prej 8 muajsh, rikthehet në detyrën e tij si kryebashkiak i Tiranës.
Në vendimin që u bë publik sot, gjykatësit u ndanë 5 me 3 në favor të kryebashkiakut Veliaj. Konkretisht pro Veliaj votuan Sander Beci, Ilir Toska, Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferllari dhe Mariana Semini, ndërsa kundër Holta Zaçaj, Sonila Bejtja dhe Gent Ibrahimi.
Sipas Kushtetueses, një i zgjedhur vendor shkarkohet vetëm për shkelje të rënda ligji dhe kushtetute, e ky nuk ishte rasti.
Gjykata argumenton se Këshilli Bashkiak dhe Qeveria nuk garantuan proces të rregullt ligjor pasi Erion Veliaj nuk u ftua, dëgjua dhe nuk u mbrojt dot.
Ndërkohë njoftimi për mbledhjen e Këshillit Bashkiak nuk ishte i mjaftueshëm, pasi sipas Gjykatës do duhej që Këshilli Bashkiak të kishte garantuar mundësinë që Veliaj të shkonte në mbledhje të mbrohej.
Pas një mbledhje që zgjati disa orë, Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin e VKM-së që shkarkoi Veliaj si dhe rrëzimin e dekretit të presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e Tiranës.
NJOFTIMI:
Gjykata Kushtetuese në datën 03.11.2025 mori në shqyrtim çështjen me kërkues Erion Veliaj, me objekt shfuqizimin e vendimit nr. 539/2025 të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë; shfuqizimin e dekretit nr. 350/2025, të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si dhe pezullimin e efekteve të këtij dekreti.
Gjykata vlerësoi fillimisht, njëzëri, se ajo ka juridiksion për kontrollin e VKM-së nr. 539/2025, pasi neni 115, pika 2, i Kushtetutës i ka dhënë asaj kompetencën të shqyrtojë vendimin e shkarkimit të kryetarit të bashkisë si organ i zgjedhur drejtpërdrejt i qeverisjes vendore. Kjo kompetencë i është dhënë Gjykatës me qëllim mbrojtjen e parimit të autonomisë vendore dhe të së drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.
Në kuptim të nenit 115, pika 1, të Kushtetutës shkarkimi nga detyra i organit të zgjedhur drejtpërdrejt të njësisë së qeverisjes vendore është një koncept kushtetues.
Gjykata theksoi, gjithashtu, se në jurisprudencën e saj të deritanishme ka përjashtuar nga juridiksioni kushtetues vetëm rastin e mbarimit të mandatit të kryetarit të bashkisë sipas neneve 6/1 dhe 179/1 të Kushtetutës (procesi i dekriminalizimit), ndërsa në të gjitha rastet e tjera të shkarkimit, sikurse në rastin konkret, ajo ka pranuar juridiksionin e saj për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra të organeve të zgjedhura drejtpërdrejt të njësisë së qeverisjes vendore. Gjykata ritheksoi se atë që nuk ka dashur ta thotë Kushtetuta, nuk mund ta thotë ligji, sepse në të kundërt ekziston mundësia e kufizimit me ligj të garancive kushtetuese të organit të zgjedhur të qeverisjes vendore, çka, në thelb, kufizon vetë kompetencën e saj. Gjykata është organi që ka kompetencën për kontrollin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e organit të zgjedhur drejtpërdrejt, bazueshmëria në Kushtetutë dhe ligj e të cilit vlerësohet vetëm nga kjo Gjykatë, e cila thotë fjalën e fundit.
Në lidhje me pretendimet e kërkuesit, Gjykata i shqyrtoi ato në themel në kuadër të procesit të rregullt të lidhur me masën e shkarkimit, me përjashtim të pretendimit për prezumimin e pafajësisë për të cilin ajo vendosi rrëzimin. Në këtë pikë, Gjykata vlerësoi të theksojë se shqyrtimi dhe vlerësimi i çështjes ka të bëjë vetëm me procesin e shkarkimit të kërkuesit nga detyra e kryetarit të Bashkisë Tiranë, pra jo me procesin penal të regjistruar në ngarkim të tij.
Në kushtet kur pranoi në juridiksionin kushtetues VKM-në nr. 539/2025, Gjykata, bazuar në jurisprudencën e saj, në lidhje me të drejtën për proces të rregullt i shqyrton rastet e shkarkimit të organit të zgjedhur të qeverisjes vendore si gjykim në themel të çështjes, duke vepruar si gjykatë fakti dhe ligji, duke analizuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e procesit dhe të aktit. Në thelb, Gjykata shqyrton nëse shkaku i shkarkimit përbën shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve dhe nëse Këshilli i Ministrave ka respektuar procedurat për ta motivuar dhe arsyetuar plotësisht vendimin e shkarkimit.
Gjykata vlerësoi se neni 62 i ligjit nr. 139/2015 është detajim i nenit 115, pika 1, të Kushtetutës. Kjo normë kushtetuese nuk i ka deleguar ligjvënësit të zakonshëm parashikimin e rasteve të tjera për shkarkim përveç atyre të përcaktuara prej saj, të cilat kanë të bëjnë me shkeljen e rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve. Në lidhje me këtë, tre gjyqtarë mbajtën qëndrimin se të gjitha parashikimet e shkronjave “a”, “b” dhe “c” të nenit 62 të ligjit nr. 139/2015 janë miratuar nga ligjvënësi në kuptim të delegimit kushtetues të nenit 115 të Kushtetutës.
Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se procedura e ndjekur në rastin konkret nga këshilli bashkiak dhe më tej nga Këshilli i Ministrave, duke mos e njoftuar kërkuesin, nuk ka garantuar të drejtën e tij për proces të rregullt në aspektet e së drejtës për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur.