100 vite nga vrasja e gjeneralit të kufinjve, Enriko Telini

Në tetor të vitit 1923, Zyra e Shtypit e Shtetit Shqiptar, asokohe e drejtuar nga Terenc Toçi, i dërgonte Lidhjes se Kombeve një raport mbi atentatin ndaj Delegacionit Italian të Caktimit të Kufijve të Shqipërisë, ku mbetën të vrarë gjenerali italian Enrico Tellini, mjeku-major Luiggi Corti, adjutanti Mario Bonacini, shoferi Reniggo Farneti si dhe përkthyesi Thanas Kraveri. Raporti i titulluar “Dy dokumente për krimin e Janinës”, i hartuar nga Dhimitër Berati, i cili asokohe mbante postin e Drejtorit të Drejtorisë Politike të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ishte njëkohesisht edhe një notë proteste kundër akuzave të ngritura që këtë krim me gjasa e kishte kryer Delegacioni Shqiptar. Ndër të tjera në raport thuhet:

“Makina e Delegacionit Italian pra duhet të ketë mbërritur në vendin e krimit, një çerek ore më vonë nga ajo e Delegacionit Shqiptar, pra në orën 8 e 45 të mëngjesit. Megjithatë, hetimi konstatoi se të shtënat janë dëgjuar rreth orës 9. Prandaj duhet konkluduar se Delegacioni Italian ishte një çerek ore me vonesë mes liqenii dhe Kilometrit 54. Sepse, me të vërtetë, Delegacioni Shqiptar, në momentin e të shtënave, kishte dhjetë minuta që ndodhej në Kakavijë, vendtakimi i parashikuar. Kështu, krimi ka ndodhur, gjysmë ore pas kalimit të Delegacionit Shqiptar.

(Gjithashtu në raport shkruhet edhe për një vrasje tjetër të një topografi shqiptar, për të cilën nuk është folur shumë. )

Pasditen e së njëjtës ditë, dy plumba u qëlluan në drejtim të topografit shqiptar Zyma, i cili kishte shkuar për të ndërtuar një sinjal trigonometrik në një lartësi, në territorin grek, rreth dhjetë kilometra larg vendit të krimit.”

Arkivi i Lidhjes së Kombeve, Gjenevë.

Ledjan Zeqollari