Përjashtohet nga seanca Gazment Bardhi, Niko Peleshi i bindet Taulant Ballës dhe ndërpret seancën

Janë ngritur sërish tonet në Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa kryeparlamentari Niko Peleshi përjashtoi nga seanca deputetin e Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Ndërkohë paralajmërim mori edhe deputeti tjetër demokrat Klevis Balliu. Bardhi u përjashtua për ndërprerje të vazhdueshme të seancës, ndërsa ju drejtua Peleshit duke i thënë ” je i paaftë”.

“Je i paaftë, kaq i paaftë je…”, tha ai duke i kujtuar se po shkelte rregulloren dhe Kushtetutën.

Në këto momente kryeparlamentari njoftoi Bardhin për përjashtimin nga Kuvendi.

“Zoti Bardhi, në bazë rregullores, ju heq drejtën e fjalës për të gjithë ditën e sotme. Përjashtoheni nga seanca, po marr masën e katërt ndaj jush”- u shpreh Peleshi. Megjithate Bardhi nuk pranoi që të dilte nga salla e Kuvendit.

Pas tensioneve, kreu i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla urdhëroi Niko Peleshin që të ndërpriste seancën për 5 minuta.

Seanca e kësaj të enjteje është shoqëruar gjatë gjithë kohës me tensione të forta mes palëve lidhur me gjenocidin në Kosovë dhe protestën e 17 tetorit në sheshin ‘Skënderbej’, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.