Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, foli në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së paqes në Lindjen e Mesme në Egjipt. Ai ishte i shoqëruar nga udhëheqësit e fuqive garantuese, Egjiptit, Turqisë dhe Katarit.
“Siç mund ta shihni, ky është ndoshta takimi më i madh i vendeve për sa i përket pasurisë dhe fuqisë që ka ndodhur ndonjëherë, dhe është një nder i madh të jem pjesë e tij”, tha Trump para nënshkrimit.
“Kjo zgjati 3,000 vjet, a mund ta besoni? Dhe do të zgjasë. Kjo është një ditë e jashtëzakonshme për botën. Marrëveshja është aq e madhe sa do të parandalojë një Luftë të Tretë Botërore – e cila mund të kishte shpërthyer në Lindjen e Mesme”, tha presidenti teksa nënshkruante.
Ai shtoi se kishte përjetuar “marrëveshje të mëdha më parë”, por kurrë kaq të rëndësishme sa kjo.
Presidenti amerikan gjithashtu theksoi se parashikimet për një Luftë të Tretë Botërore në Lindjen e Mesme nuk do të realizohen, falë kësaj marrëveshjeje.
Pas tij, edhe liderë të tjerë rajonalë, përfshirë presidentin e Egjiptit Abdel Fattah el-Sisi, emirin e Katarit Tamim bin Hamad Al Thani dhe presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan, firmosën dokumentin, që synon të vendosë paqen dhe të ndalë përplasjet në rajon.