Vendimi i Gjykatës Kushtetuese me pezullimin e dekretit të Presidentit për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, tregoi qartë se Bajram Begaj kishte shkelur Kushtetutën.
Po i këtij mendimi nuk është vetë kreu i shtetit, që thotë se nuk është penduar aspak për vendimin e marrë dhe se do të respektojë vendimin e Kushtetueses.
Madje, Begaj me fjalët e tij e pranon se e ka shkelur Kushtetutën, por vetëm pak, pasi pjesa më e madhe e dekretit të tij për zgjedhje në 5 nga 6 Bashki është brenda rregullave.
“Unë kam shkelur Kushtetutën? Nuk jam penduar aspak. Gjykata Kushtetuese, me vendimin e marrë për pezullimin e pjesshëm 1/6-tës së dekretit është shumë e respektuar nga ana jonë. Do të vazhdojmë me procesin deri sa çështja të diskutohet në tërësi”, tha ai për A2CNN.
Ndërkohë, i pyetur se përse nuk e ka thirrur ende anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Asim Vokshi, për t’u betuar, ai u shtang për një moment nga pytja, ndërsa u përgjigj: “Ku e dini ju që nuk e kam thirrur. Kur të betohet do ta merrni vesh”.