Kryebashkiaku i Neë York, Eric Adams, ka ardhur në Shqipëri me ftesë të kryeministrit Rama, me këtë të fundit që i ka paguar edhe udhëtimin dhe qëndrimin në vendin tonë. Sigurisht, me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Sot, Rama së bashku me Adams dolën në një konferencë për mediat, ku kryebashkiaku i New York foli për arsyen e vizitës së tij në vendin tonë. Ai tha se kishte ardhur për të përshëndetur Ramën, si dhe për të mësuar më shumë për teknologjinë.
Pra, paratë e shqiptarëve paguajnë udhëtimin dhe strehimin e një kryebashkiaku amerikan që ai të mësojë më shumë mbi teknologjinë dhe të takojë “Diellën”, ministren imagjinare të Ramës.
Por, nuk munguan as lavdet e Admas për Ramën, të cilin e komplimentoi se ka arritur ta zhvillojë Shqipërinë, që deri para 25 vitesh nuk kishte drita në rrugë, ndërsa sot ka një ministre me AI.
Ndoshta Eric Adams ka parë vetëm qendrën e Tiranës dhe kopshtin e Ramës në Kryeministri, pasi nëse do të qëndrojë pak më gjatë e do të njihet më mirë me realitetin në Shqipëri, ndoshta do të kuptojë se ato dritat e rrugëve janë ende të pavendosura.
Ndërkohë, në përfundim të fjalës së tij, kryeministri Rama nuk e lejoi kryebashkiakun Adams t’iu përgjigjej pyetjeve të gazetarëve, të cilët ishin të interesuar të mësonin më shumë mbi vizitën e tij. Një vendim tjetër absurd i kryeministrit, që disa ditë më parë kushtëzoi gazetarët për pyetjet që do t’i drejtonin.
“Doja të vija këtu dhe të mësoja më shumë për teknologjinë, për mënyrën se si ky kryeministër ka qenë në gjendje të kujdeset për revolucionin e këtij vendi dhe këtij qyteti.
Ka pasur shumë spekulime se pse jam këtu dhe çfarë po bëjmë këtu. Arsyeja është e thjesht: për të përshëndetur një mik, për të mësuar nga një mik dhe për të ndërtuar një marrëdhënie me një miqësi që nuk do të na lejojë që ne të kemi ndasi. Ne do të mësojmë nga njëri tjetri, do të rritemi së bashku ashtu siç bëjmë në Neë York e siç po bëni edhe ju këtu në këtë vend të jashtëzakonshëm, me histori të pasur”, tha ndër të tjera Eric Adams.