Ermal Hasimja tërhiqet me dinjitet: Suksese Florian Binajt dhe e mbështes plotësisht për të mirën e qytetit tonë

Ermal Hasimja ishte emri më i kuotuar për të qenë kandidati i opozitës së bashkuar në zgjedhjet e 9 Nëntorit për Bashkinë e Tiranës, por një vendimmarrje e orëve të fundit brenda selisë së Partisë Demokratike nxori si kandidat aktorin Florian Binaj.

Ky i fundit ka marrë mbështetjen e të gjitha partive opozitare, pasi plotëson kriteret e vendosura nga opozita si një kandidat jo-politik dhe me integritet, që mund të mbledhë votat e gjithë opozitarëve dhe votuesve “gri”.

Ndërkohë, Ermal Hasimja e ka reaguar në rrjetet sociale në lidhje me përzgjedhjen e opozitës. Pa asnjë hatërmbetje, ai ka shprehur mbështetjen e plotë për Florian Binajn dhe i ka uruar suksese në garën e tij për Tiranën.

Gjithashtu Hasimja shprehet ndër të tjera se një ditë mund t’i kthehet politikës, por vetëm nëse krijohen kushtet e duhura dhe në angazhime politike që përputhen me parimet në të cilat beson.

“Para pak ditësh paraqita dëshirën për të qenë kandidati i një opozite të bashkuar për Tiranën tonë. Procesi u mbyll. I uroj suksese Florian Binajt dhe e mbështes plotësisht për të mirën e qytetit tonë dhe kryeqytetit të vendit.

Nesër i kthehem jetës sime të mëparshme. Do të vazhdoj të bëj punën time si arsimtar me brezat e rinj, në studio televizive e media të tjera dhe nëse një ditë krijohen kushtet e duhura edhe në angazhime politike që përputhen me parimet në të cilat besoj.

Nxitja dhe inkurajimi i papritur e befasues që mora nga qindra të njohur e të panjohur më tregon se ashtu si dhe unë shpresa pret ditën e saj për t’u rishfaqur”, shkruan Ermal Hasimja.