Në një lëvizje që ka ngjallur reagime të forta në Shtetet e Bashkuara, kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, ka zgjedhur të udhëtojë drejt Shqipërisë në javët e fundit të mandatit të tij,një vizitë e mbuluar pjesërisht nga qeveria shqiptare dhe e shoqëruar nga një sërë pikëpyetjesh politike dhe etike, shkruan New York Times.
Udhëtimi vjen në një moment kur Adams përballet me kritika të ashpra në vendin e tij dhe pasi njoftoi tërheqjen nga gara për rizgjedhje. Ndërkohë, sipas prestigjiozes amerikane, pritës i tij në Tiranë është kryeministri Edi Rama, një figurë që është përmendur 13 herë në një aktakuzë federale amerikane për korrupsion që përfshin ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal.
Artikulli më poshtë, i botuar në The New York Times, hedh dritë mbi arsyet, kostot dhe sfondin politik të kësaj vizite, duke nxjerrë në pah marrëdhëniet e ngushta të Adams me Shqipërinë dhe hijet që ndjekin këtë udhëtim “zyrtar”.
Me vetëm pak më shumë se dymbëdhjetë javë të mbetura në detyrën e kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams duket se ka vendosur të heqë edhe një vend tjetër nga lista e tij e dëshirave për t’u vizituar gjatë kohës në pushtet: Shqipërinë.
Z. Adams udhëtoi drejt këtij vendi ballkanik të dielën, për bisedime që, sipas një ndihmëseje të tij, kishin të bëjnë me çështje biznesi dhe turizmi. Ai kishte gjithashtu planifikuar një takim me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, i cili luajti një rol të rëndësishëm në ndjekjen e suksesshme penale për korrupsion në vitin 2023 ndaj një ish-agjenti të lartë të kundërzbulimit në FBI.
Vizita në këtë destinacion turistik, që ndodhi vetëm një javë pasi Adams njoftoi se do të ndalonte fushatën për rizgjedhje për shkak të sondazheve jashtëzakonisht të ulëta, ka ngritur pikëpyetje mes ligjvënësve, të cilët prisnin që në ditët e fundit të mandatit të tij, ai të përqendrohej në lënien e një trashëgimie të qëndrueshme në qytetin e tij.
Vizita e tij, e raportuar për herë të parë të dielën nga WNBC, do të zgjasë deri të enjten, sipas zëdhënëses së tij, Kayla Mamelak Altus. Kryetari nuk e përfshiu këtë udhëtim ndërkombëtar në axhendën publike derisa të hënën, pasi ishte larguar tashmë nga Nju Jorku.
Znj. Mamelak Altus tha se qeveria shqiptare do të mbulojë shpenzimet e akomodimit dhe transportit tokësor të kryetarit, ndërsa taksapaguesit e qytetit të Nju Jorkut do të mbulojnë pjesën tjetër të udhëtimit, përfshirë biletat e avionit për Adams dhe shoqëruesen e tij, Gladys Miranda, një ndihmëse prej vitesh, si dhe kostot e sigurisë së kryetarit.
Sipas saj, dhoma e hotelit të kryetarit kushton rreth 200 dollarë në ditë, ndërsa transporti tokësor kushton rreth 90 dollarë në ditë.
Znj. Mamelak Altus tha se Adams udhëton me ftesë të kryeministrit Rama, i cili përmendet mbi një duzinë herë në një aktakuzë federale për korrupsion të ngritur në Uashington kundër Charles F. McGonigal, ish-zyrtar i lartë i kundërterrorizmit në FBI. (Aktakuza nuk e akuzon Ramën për ndonjë shkelje.)
Zyra e shtypit e z. Rama nuk ka komentuar mbi udhëtimin e Adams-it.
Përveç takimit me kryeministrin dhe kabinetin e tij, Adams ka planifikuar edhe takime me drejtues të biznesit dhe teknologjisë, vizita në fabrika, si dhe diskutime mbi mënyrat për të nxitur aktivitetin ekonomik dhe turizmin drejt Nju Jorkut, shtoi Mamelak Altus.
Vendimi i Adams për të lënë qytetin në javët e fundit të mandatit të tij ka ngjallur shqetësime se ai është më shumë i përqendruar në dëshirën e tij të dokumentuar për të udhëtuar sesa në administrimin e përditshëm të qytetit.
Kur dëgjoi për udhëtimin e tij, këshilltarja dhe ish-presidentja e Bashkisë së Manhattanit, Gale Brewer, u shpreh: “Mendova se ishte një shaka.”
Më pas, shtoi ajo, iu kujtua pasioni i Adams për udhëtimet.
“Ai ka edhe disa muaj të mbetur në detyrë, dhe do të mendoja se do të përpiqej të përmbyllte punët për trashëgiminë e tij — arsimin, strehimin, çdo detaj të fundit,” tha Brewer. “Kjo është ajo që mendoja se do të bënte.”
Lidhjet e Adams me Shqipërinë janë relativisht të thella për një vend që ka pak marrëdhënie tregtare me SHBA-në dhe me një komunitet të vogël në Nju Jork — vetëm rreth 40,000 nga 8.8 milionë banorët e qytetit janë identifikuar si shqiptarë, sipas regjistrimit të popullsisë në SHBA më 2020. Në shtatë muajt e parë të këtij viti, SHBA ka importuar mallra në vlerë 50 milionë dollarë nga Shqipëria dhe ka eksportuar 82.2 milionë.
Në vitin 2022, djali i Adams-it, Jordan Coleman, mori pjesë në një spektakël muzikor shqiptar të ngjashëm me “American Idol”, në vitin e parë të mandatit të tij si kryetar bashkie. Adams, i njohur për ceremonitë e ngritjes së flamurit që organizon në Manhattan për vende të ndryshme si Surinami apo Kazakistani, ka organizuar tri të tilla për Shqipërinë.
Në qershor, ai organizoi një festë për kulturën shqiptare në rezidencën zyrtare, Gracie Mansion. Në gusht, ambasadori shqiptar në SHBA, Ervin Bushati, postoi një foto me Adams në një vend të panjohur.
Dhe në një video të publikuar në internet më pak se dy javë më parë, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Adams i tha një prezantueseje të njohur shqiptare se e kishte ende një dëshirë të paplotësuar: të vizitonte Shqipërinë.
“Kam arritur shumë gjëra, por ajo që s’e kam arritur ende — dhe jam xheloz për djalin tim — ai shkoi në Shqipëri dhe performoi atje,” tha ai.
“Kjo është Shqipëria e Amerikës,” shtoi ai, duke përdorur një nga shprehjet e tij të njohura, dhe theksoi se Nju Jorku është shtëpia e diasporës më të madhe shqiptare në botë.
“Pas djalit tuaj, thjesht duhet të vini vetë në Shqipëri,” iu përgjigj moderatorja Alketa Vejsiu në Instagram. “Ju presim me krahë hapur.”
Sipas znj. Mamelak Altus, djali i Adams, z. Coleman, nuk po udhëton me të dhe nuk ka marrë pjesë në planifikimin e udhëtimit.
Kryetari udhëtoi me linjën ajrore Lufthansa drejt Shqipërisë, me një ndalesë në Frankfurt, nga ku nuk doli nga aeroporti, sipas znj. Mamelak Altus.
Z. Rama, kryeministri, ishte një figurë kyçe në njërën prej dy aktakuzave për korrupsion të ngritura në janar 2023 kundër z. McGonigal nga prokurorët federalë — një në Nju Jork dhe një tjetër në Uashington. Aktakuza në Uashington nuk e përmend Ramën me emër, por referohet 13 herë ndaj “kryeministrit të Shqipërisë” në një dokument prej 16 faqesh.
Sipas prokurorëve, gjatë kohës kur McGonigal ishte ende në FBI, ai ndërtoi një marrëdhënie me z. Rama dhe e përdori atë për të ndihmuar një kompani të lidhur me një ish-oficer shqiptar të inteligjencës, i cili i dha atij 225,000 dollarë, për të fituar një licencë për shpim nafte. Gjithashtu, McGonigal kërkoi që FBI të hapte një hetim ndaj një lobisti të rivalit politik të Ramës — dhe agjencia e bëri këtë.
McGonigal u deklarua fajtor në të dyja çështjet dhe është një nga zyrtarët më të lartë të FBI-së që është dënuar ndonjëherë për krim. Ai po vuan aktualisht një dënim me burg prej gjashtë vjet e gjysmë.
Udhëtimet e mëparshme ndërkombëtare të Adams ishin në qendër të një padie për korrupsion federal ndaj tij, e cila u hoq në mënyrë të pazakontë nga Departamenti i Drejtësisë gjatë administratës Trump.
Në një kthesë të çuditshme, dy nga prokurorët federalë që ngritën çështjen kundër Adams-it, përfshirë edhe prokurorin kryesor, ishin gjithashtu të përfshirë në hetimin ndaj McGonigal.