PD vendos kandidatin për Tiranën, Berisha: Të mbështesim aktorin Florjan Binaj

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë për mediat u shpreh se forca që ai drejton do të mbështes kandidaturën e aktorit Florjan Binaj për zgjedhjet e Bashkisë Tiranë, të cilat do të zhvillohen më datë 9 Nëntor.

Sipas Berishës, qytetarët e Tiranës e gjejnë veten të përfaqësuar të Binaj. Kryedemokrati tha se zgjedhja e Binajt erdhi pas një procesi të hapur dhe gjithëpërfshirës, ku janë shqyrtuar me kujdes kandidatura të shumta.

Megjithatë ai nuk është ende kandidati zyrtar për Tiranën, pasi pritet që të ketë edhe diskutime me aleatët lidhur me emrin e Binajt.

Ndërkohë pritet që kandidatura e Binajt të marrë edhe mbështetjet e partive aleate, në mënyrë që opozita të dalë e unifikuar në këto zgjedhjet, ku përballë do të ketë Ogerta Manastirliun.

“Jam sot këtu për t’u informuar ju dhe qytetarët e Tiranës, dhe mbarë Shqipërisë, se midis kandidaturave shumë të mira që kanë ardhur direkt nga drejtues dhe personalitete të PD, tashmë të bëra publike, për të cilat unë kam vlerësimin më të madh, kandidaturave realisht të personaliteteve të pavarura nga fusha të ndryshme, nga Shqipëria dhe nga diaspora, PD duke falënderuar me mirënjohje secilin prej atyre që vendosi të paraqesë kandidaturën e tij në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe përballjen me të keqen e këtij vendi, që është Edi Rama, informon se grupi i mandatuar nga PD do u paraqesë aleatëve tanë mendimin dhe sugjerimin që të mbështesim së bashku artistin e mirënjohur, personalitetin e shquar të artit, luftëtarin e paepur të kauzave të qytetarëve shqiptarë, komunikatorin e talentuar, e lindur, zotin Florjan Binaj”, deklaroi Berisha.