Greta Thunberg mes të ndaluarve nga ushtria izraelite në flotilën me ndihma për Gazën

Aktivistja e njohur suedeze për klimën, Greta Thunberg, është ndaluar së bashku me dhjetëra aktivistë të tjerë nga ushtria izraelite, pasi kjo e fundit ka ndërprerë lundrimin e një flotile me ndihma humanitare drejt Gazës. Ngjarja ka shkaktuar reagime të ashpra në mbarë botën.

Flotilja, e njohur si Global Sumud Flotilla (GSF), kishte si qëllim të thyente bllokadën 18-vjeçare të Gazës dhe të sillte ndihma për popullsinë civile të rajonit, përfshirë ushqime, ujë dhe ilaçe. Mjetet lundruese ishin nisur nga portet e Mesdheut, përfshirë edhe nga Barcelona.

Sipas organizatorëve, anijet u ndaluan të mërkurën në mbrëmje nga forcat izraelite rreth 70 milje detare larg Gazës. Një prej anijeve është goditur me qëllim, ndërsa të tjerat janë sulmuar me topa uji. Ministria e Jashtme izraelite konfirmoi ndalimin dhe tha se pasagjerët, përfshirë Thunberg, janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe do të deportohen drejt Evropës.

Izraeli e cilësoi flotilën si “provokim”, duke thënë se kishte ofruar rrugë alternative për dorëzimin e ndihmave, por organizatorët refuzuan të dorëzonin ndihmat te palë të treta, duke kërkuar që ato të shkonin drejtpërdrejt te civilët palestinezë.

Ndërkohë, në shumë qytete evropiane, përfshirë Romën, Stambollin dhe Athinën, kanë shpërthyer protesta në mbështetje të flotilës dhe popullit të Gazës. Në Itali, një sindikatë e madhe ka paralajmëruar grevë të përgjithshme kombëtare si formë solidariteti.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, konfirmoi se gjashtë shtetas meksikanë ndodhen në paraburgim në Izrael dhe ka kërkuar kthimin e menjëhershëm të tyre, duke theksuar se ata “nuk kanë kryer asnjë krim”.