Skandali seksual në Përmet, pezullohet nga detyra shefi i krimeve! Nisin hetimet për disa efektivë të tjerë

Është pezulluar nga detyra shefi i Krimeve në Komisariatin e Përmetit, Dhurim Çenko pasi ka qenë në dijeni të abuzimit të një 16 vjeçareje nga njerku polic P.B dhe kolegu i tij, Artur Ago.

Po ashtu mësohet se ndaj tij ka nisur një hetim për shkelje të rëndë disiplinore për shkak se kishte pasur dijeni.

Ngjarja e rëndë u zbulua pak javë më parë, ndërsa e mitura abuzohej prej tre vitesh nga njerku dhe Ago e kishte ngacmuar seksualisht. Në dijeni të rastit kanë qenë edhe efektivë të tjerë, për të cilët ka nisur një hetim nga AMP.

Në lidhje me këtë ngjarje nga DVP Gjirokastër në datë 18.09.2025 ndaj punonjësit të policisë Komisar Dhurim Çenko me detyrë Shef i Seksionit për Krimet në Volum në Komisariatin e Policisë Përmet ka filluar hetim disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore në bazë të Ligjit Nr.82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, Neni 121, pika 1, gërma a “Mospërmbushja e detyrave, ose mos respektimi i përsëritur i afateve në përmbushjen e detyrave, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda”. Sa më sipër nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria e Standarteve Profesionale në datë 19.09.2025 është marrë vendim për pezullimin nga detyra të këtij punonjësi policie deri në përfundim të hetimit disiplinor. Për të gjithë punonjësit e policisë për të cilët kemi pasur të dhëna se kanë qenë të implikuar në këtë ngjarje janë njoftuar strukturat e Drejtorisë Rajonale të AMP Vlorë – Gjirokastër”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë së policisë Gjirokastër pas interesimit të medias.