Gjykata e Posaçme kunër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar këtë të martë ish-drejtorin juridik të Bashkisë Bulqizë, Denis Xholin, me 1 vit e 6 muaj burg për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Gjithashtu, ndaj tij është vendosur ndalimi për 5 vite në ushtrimin e funksioneve publike, ndërsa dënimin do ta kryejë në një burg me siguri të zakonshme. Vendimi u mor nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Elsa Ulliri dhe Bib Ndreca.
Denis Xholi ishte një nga shtatë zyrtarët e Bashkisë Bulqizë të akuzuar dhe arrestuar nga SPAK në dosjen e ish-kryebashkiakut Lefter Alla, për abuzime lidhur me një tender me vlerë rreth 322 milionë lekë për ndërtimin e ujësjellësit të ri në qytetin e Bulqizës.
Sipas hetimeve, Alla dhe ish-zyrtarët e tjerë dyshohen se favorizuan dy kompani gjatë procedurës së prokurimit publik për të përfituar më pas kompania ‘OE 2AF Albania shpk’, e administruar nga i afërmi i Allës, Aqif Konesha.
Kompanitë fituese të tenderit ishin ‘BOE Egland shpk’ dhe ‘BE-IS shpk’, me administrator Rasim Dacin dhe Kastriot Ibrahimaj përkatësisht.
Tenderi përfshinte “Ndërtimin e rrjetit furnizimit dhe shpërndarës Ujësjellësin dhe ndërtimin e rrjetit të KUZ, Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë” me vlerë rreth 3 milionë euro dhe afat realizimi 10 muaj. Punimet i kryente në fakt kompania ‘OE 2AF Albania shpk’.
Nga ana e tij, Lefter Alla ka mohuar akuzat duke i cilësuar si sulme politike.