A e ka vërtet qeveria një program qeverisës? Përse Rama i shmanget debatit në Parlament

Në një demokraci funksionale, debati parlamentar për programin e qeverisë është një nga gurët themeltarë të llogaridhënies dhe transparencës. Edhe në vitin 1991, kur u mblodh Parlamenti i parë pluralist, u zhvilluan 4 ditë debat mbi programin qeverisës.

Por në Shqipërinë e vitit 2025, ky parim themelor duket se është kthyer në një formalitet pa kuptim. Kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca, pasi iu shmangën debatit për programin qeverisës në seancën plenare duke u justifikuar me protestat e opozitës, refuzuan një mocion me debat të kërkuar nga opozita, duke iu shmangur përballjes me realitetin.

Por, pse shmanget Rama nga debati? Sepse nuk ka asgjë të re për të thënë. Dhe më keq akoma, nuk ka asgjë për të mbrojtur.

Le të kthehemi pas në kohë. Në çdo fushatë, Rama ka premtuar ujë të pijshëm 24 orë në ditë. Tani jemi në mandatin e katërt dhe në shumë zona urbane dhe rurale, furnizimi me ujë është ende me orar. Nga Tirana e në çdo qytet apo fshat të Shqipërisë, qytetarët ende mbushin bidona për t’u furnizuar me ujë.

Po premtimet për ndërtimin e spitaleve të reja moderne dhe shëndetësinë falas? Vonesa, tendera me probleme, dhe në shumë raste, propagandë mediatike më shumë se investime reale. Në shëndetësi, mjekët vazhdojnë të largohen, infermierët paguhen keq, dhe pacientët përballen me mungesë të barnave bazë, siç u pa qartë edhe me skandalin e Spitalit Onkologjik.

Në arsim, premtohej një revolucion dixhital, por në realitet, nxënësit mësojnë në shkolla me kushte minimale. Mësuesit vazhdojnë të mbajnë mbi supe një sistem që po shpërbëhet në heshtje, ku numri i nxënësve ulet vit pas viti e rezultatet e PISA-s tregun qartë se në çfarë niveli është sistemi ynë arsimor.

Në vend që të përballet me opozitën dhe qytetarët në Kuvend, qeveria mjaftohet me një votim formal të programit. Kjo shmangie e debatit nuk është çështje kohe. Është çështje frike, frikë nga llogaridhënia. Frikë nga fakti se pas 12 vitesh në pushtet, kjo qeveri ka më shumë fasada se rezultate.

Po e mbyllim siç e nisëm: A ka vërtet kjo qeveri një program qeverisës?

Nëse do ta kishte, nuk do të trembej nga debati. Nëse do të kishte rezultate, do t’i vinte përballë opozitës me krenari. Por mungesa e përballjes tregon qartë mungesën e përmbajtjes. Dhe kjo nuk është thjesht çështje retorike, është çështje serioze për demokracinë.