Ish-deputeja e Lëvizjes Socialiste pët Integrim, Silva Caka është emëruar zv.Ministre e Brendshme.
Vendimi për emërimin e Cakës në këtë detyrë është marrë në mbledhjen e qeverisë këtë të enjte, ku gjithashtu u miratua edhe vendimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e Erion Veliajt.
Caka, e cila ka qenë edhe në rolin e Sekretares për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, është shkëputur përfundimisht nga kjo forcë politike duke kaluar te Partia Socialiste, ashtu siç bëri më herët edhe ish-kolegu i saj, Endrit Braimllari, i cili në zgjedhjet e 11 Majit garoi për PS, por nuk e fitoi dot mandatin e deputetit.
Aktualisht Silva Caka ishte pjesë e opozitës në këshillin bashkiak të Tiranës nga radhët e PL-së, por pak ditë më parë ka dhënë dorëheqjen.
Për largimin e Cakës nga partia e partia e drejtuar nga Ilir Meta është përfolur edhe në vitin 2021, por gjithçka ka qenë në kuadrin e thashethemeve.
Ndërkohë ish-deputetja e Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës, Edona Bilali, është emëruar zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Gjatë mbledhjes së sotme, Eugena Tomini është emëruar zëvendësministre e Shëndetësisë, një post që ajo ka mbajtur edhe më parë.