Partia Reform UK, e drejtuar nga Nigel Farage, ka shpallur një politikë të re që synon të heqë të drejtën e emigrantëve për të qëndruar përgjithmonë në Mbretërinë e Bashkuar pas pesë vitesh.
Në vend të kësaj, emigrantët do të duhet të riaplikojnë për viza çdo pesë vjet, me kushte më të rrepta si paga më të larta dhe njohuri më të mira të gjuhës angleze.
Gjithashtu, partia kërkon të ndalojë aksesin në përfitime sociale për këdo që nuk është shtetas britanik, duke zëvendësuar skemën aktuale të “Indefinite Leave to Remain” (ILR).
Kjo masë, sipas tyre, do t’i kursejë shtetit mbi £234 miliardë, një shifër që është vënë në dyshim nga ekspertët dhe qeveria.
Farage e justifikoi nismën duke thënë se “Britania nuk është banka ushqimore e botës”, ndërsa tha se shumë emigrantë do të humbasin qëndrimin e tyre të përhershëm dhe do të largohen, ose do të përballen me deportim masiv.
Qeveria aktuale dhe opozita Laburiste kritikuan planet e Reform UK si jo realiste dhe të rrezikshme për ekonominë.
Ndërkohë, Liberal Demokratët thanë se këto propozime nuk janë serioze dhe do të dëmtonin rëndë bizneset dhe rritjen ekonomike të vendit.