Këshilli i Bashkisë i kthen përgjigje Veliajt pas kërkesës për të qenë i pranishëm në seancën e shkarkimit

Këshilli i Bashkisë Tiranë i është përgjigjur Erion Veliajt, pas kërkesës së këtij të fundit për të qenë i pranishëm në mbledhjen ku do të merret vendimi për shkarkimin e tij.

Në përgjigjen e tij, Këshilli thotë se në rast se nuk mund të jetë i pranishëm fizikisht, Veliaj mund t’i dërgojë me shkrim komentet e tij.

“Sa më sipër, në vijim të kërkesës suaj për të qenë i pranishëm fizikisht në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, në rast pamundësie për të qenë prezent, Ju lutem që observacionet tuaja t’i përcillni me shkrim pranë Këshillit Bashkiak, në mënyrë që ato të administrohen dhe të bëhen me dije në këtë mbledhje”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Bashkiak.

Mbledhja e Këshillit do të bëhet nesër, ku pritet që socialistët të propozojnë dhe më pas votojnë shkarkimin e Erion Veliajt, me motivacionin se nuk është paraqitur në punë në 3 muajt e fundit.

Por ky motivacion është hedhur poshtë nga avokatët e kryebashkiakut, të cilët me shumë mundësi do ta dërgojnë çështjen në Kushtetuese, pasi mungesa e Veliajt është e justifikuar, pasi ndodhet nën masë sigurie “arrest me burg” dhe ende nuk ka një dënim të formës së prerë ndaj tij.

Dërgimi i çështjes në Kushtetuese do të bënte që të vonoheshin zgjedhjet e reja për kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës, ku socialistët kanë dalë me kandidaturën e Ogerta Manastirliut, ndërsa opozita ende nuk ka një kandidat.