Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të mos ndryshojë masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-presidentin Ilir Meta, duke e lënë atë të vijojë qëndrimin në paraburgim.
Avokatët e Metës kërkuan lirimin e klientit të tyre, me pretendimin se dosja tashmë është kaluar për gjykim dhe se nuk ekziston më rreziku për prishjen e provave apo ndikimin në hetim.
Kujtojmë që Ilir Meta ndodhet i arrestuar që prej 21 tetorit 2024. Ish-Presidenti Meta ka bërë rekurs edhe në Gjykatën e Lartë dhe kërkesa e tij do të shqyrtohet më 9 tetor.
Ai ka bërë ankimim për masën arrest në burg, të caktuar prej rreth 1 viti nga GJKKO dhe të lënë në fuqi nga Apeli.
SPAK mbylli hetimet për dosjen ‘Meta’ më 28 korrik, ndërsa e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një; aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Ndërsa Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.