Tre persona kanë humbur jetën dhe një tjetër raportohet i zhdukur pas një shpërthimi të fuqishëm që ndodhi në ambientet e kompanisë së trajtimit të mbeturinave “Ecopartenope”, në zonën industriale të Marcianise, në provincën e Casertës, Itali.
Sipas informacioneve paraprake të publikuara nga mediat italiane dhe konfirmuara nga ekipet zjarrfikëse në vendngjarje, shpërthimi ndodhi gjatë punimeve të mirëmbajtjes në një pjesë të impiantit.
Tre viktimat ishin punëtorë të angazhuar në këto punime, por ende nuk është e qartë nëse ata ishin punonjës të përhershëm të kompanisë apo kontraktorë të jashtëm.
Një person i katërt rezulton ende i zhdukur dhe kërkimet për të vijojnë nga ekipet e emergjencës. Zjarrfikësit ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për të stabilizuar situatën dhe për të zbardhur shkaqet e shpërthimit.
Autoritetet lokale kanë nisur një hetim për të përcaktuar saktësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të kuptuar nëse janë respektuar protokollet e sigurisë gjatë punimeve të mirëmbajtjes.