Rrëmbyen dhe vranë Renis Dobrën, arrestohen 2 vëllezërit Bushgjoka

Policia ka vënë në pranga dy vëllezërit Kristi Bushgjoka dhe Aleksandër Bushgjoka, të cilët ishin në kërkim për rrëmbimin dhe vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra në Mat, ngjarje kjo e ndodhur më 8 korrik të këtij viti.

Më herët për këtë ngjarje të rënë është arrestuar edhe vëllai tjetër, Fatjon Bushgjokaj dhe Petrit Çakrri.

4 aurotët, kanë marrë peng të riun në fshatin Zenisht dhe më pas e kanë mbytur me litar duke e hedhur bashkë me makinën në shpatin e liqenit të Ulzës.

Një prej vëllezërve Bushgjokaj akuzohet për përkrahje të autorit të krimit pasi rezulton se ka dërguar në Kosovë dy vëllezërit e tij. Ndërsa dy vëllezërit e tjerë akuzohen se kanë bashkëpunuar në kryerjen e krimit.

Sipas policisë, 23-vjeçari ka qenë i dënuar në Gjermani, për shpërndarje të lëndëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Dyshohet se viktima ka patur mosmarrëveshje me autorët lidhur me trafikun e drogës. Mendohet se ngjarja ka ndodhur në formë hakmarrje për shkak të humbjes së një sasie lënde narkotike dhe shume parash.

“Gjatë 24 orëve të fundit, finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, një tjetër operacion për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar. Operacioni policor i koduar “Operacionalja 68”, u zhvillua në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA. Kapen në Tiranë dhe vihen në pranga 2 vëllezërit e njërit prej autorëve të vrasjes nëpërmjet strangulimit, të shtetasit R. D., më datë 08.07.2025, në Burrel.

Të arrestuarit, të dyshuar si bashkëpunëtorë për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të shtetasit R. D. Në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh siguruan informacion për vendndodhjen e 2 vëllezërve të shpallur në kërkim.

Bazuar në këtë informacion, u organizua dhe u zhvillua në bashkëpunim me shërbime të Forcës Speciale RENEA, operacioni i koduar “Operacionalja 68”, për kapjen e tyre. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kapën në një apartament në Tiranë dhe ndaluan shtetasit: K. B., 29 vjeç dhe A. B., 24 vjeç, vëllezër.

Këta shtetas ishin shpallur në kërkim bazuar në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, si të dyshuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim. Nga hetimet dyshohet se 2 të ndaluarit, në bashkëpunim me vëllanë e tyre, shtetasin F. B., dhe me shtetasin P. H. alias P. C., 55 vjeç (të arrestuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit”), kanë rrëmbyer dhe mbajtur peng shtetasin R. D., 23 vjeç, trupi i pajetë i të cilit u gjet në liqenin e Ulzës, Shkopet. Dy shtetasit e kapur iu dorëzuan Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, për veprime të mëtejshme“, njofton Policia.