Ish zv/ndihmë sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin ka vijuar për të tretën ditë dëshminë e tij para dhomave të Specializuara në Hagë lidhur me gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Rubin u pyet nëse kishte pasur dijeni për ndonjë kërcënim që Hashim Thaçi kishte bërë ndaj dy anëtarëve të delegacionit kosovar në Rambuje. Teksa e mohoi këtë akuzë, ai bëri një deklaratë të fortë, duke thënë se Thaçi ishte në pozita të vështira në Rambuje. Sipas dëshmisë së Rubin, Thaçi ishte vënë në presion nga Sekretarja Amerikane e Shtetit të asaj kohe, Madeleine Albright, se nëse nuk e nënshkruan marrëveshjen e Ramujesë, pasojat do të ishin të rënda.
“Sekretarja Albright e ka kërcënuar Thaçin në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke i thënë se nëse nuk nënshkruan dhe i lë njerëzit të pambrojtur nga serbët, pasojat do të jenë të rënda,” deklaroi Rubin.
Ai shtoi se edhe figura të tjera politike shqiptare, si Adem Demaçi, ishin përballur me forma të ngjashme presioni në atë periudhë vendimtare për Kosovën.
Këtë të mërkurë, James Rubin përfundoi dëshminë e tij tre ditore në Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Dua të them që ishte privilegj për mua të jem këtu, pavarësisht se zgjati pak më shumë, por ishte një përdorim i rëndësishëm i kohës sime”, tha Rubin në përfundim të dëshmisë së tij.