Gara për kreun e ri të SPAK, KLP u cakton afat 3 javë kandidatëve të paraqesin platformat

Ndërkohë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka nisur sot procesin për të zgjedhur kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Në mbledhjen e sotme, u vendos unanimisht për caktimin e afatit 3 javë për kandidatët e interesuar të paraqesin platformat e tyre.

Mandati i Altin Dumanit përfundon në 16 dhjetor, 3 vite pas zgjedhjes së tij në krye të SPAK, ku arriti ta kthente këtë institucion më të besuarin e qytetarëve, pas arrestimeve të shumë zyrtarëve të lartë të politikës.

Zgjedhja e kreut të ri të SPAK është në fokusin e SHBA dhe Bashkimit Europian, të cilët po e ndjekin nga afër këtë proces.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato zhvilloi pak ditë më parë një takim me kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani.

Gonzato e siguroi kryetaren e KLP-së se do të ndjekë nga afër këtë proces duke vazhduar njëkohësisht të mbështesë të gjithë sistemin gjyqësor në forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe efikasitetit në të gjitha nivelet.

Vlen të përmendet se drejtuesi i SPAK ka pasur ndër vite mbështetjen e SHBA-ve ndërsa vetëm pak javë më parë ai ishte për një vizitë zyrtare në Uashington ku u takua me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Byrosë Federale të Hetimit ku në fokus ishte goditja e organizatave kriminale të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.