Debate në Kuvend, opozita kundër ndyshimeve të komisioneve: Akt i turpshëm, po shkelmoni Kushtetutën

Seanca e kësaj të marte është shoqëruar me debate dhe tensione me opozitën pas kërkesës së PS për të kaluar me procedurë të përshpejtuar ndryshimet në rregullore, për t’i hapur rrugë riformatimit të komisioneve parlamentare.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha i tha kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi se e ka nisur detyrën e tij duke shkelur Kushtetutën teksa e cilësoi si sekretar të kreut të qeverisë. Sipas Berishës, po shkelmohet Kushtetuta dhe vullneti i shqiptarëve.

“ Të fillosh detyrën duke shkelur Kushtetutën damkos në mënyrë përfundimtare veten tende, tregon se nuk je gjë tjetër vetëm një sekretar i kreut të organizatës kriminale të Shqipërisë që e ka emrin Edi Rama.

Shkelmimi i Kushtetutës është shkelmim i vullnetit të qytetarëve shqiptarë është puç që i bëhet librit të shtetit vetëm sepse doni të lani duart pas krimit që kryeni.

Është provokacion i ulët që ju i bëni rendit kushtetues të vendit, qytetarëve të këtij vendi dhe opozitës, akt i turpshëm. Statutin e partisë suaj të krimit e keni Kushtetutën? Merr vendimin, mblidhni këshillat dhe zbatoni Kushtetutën”- u shpreh Berisha.

Edhe deputetja Jorida Tabaku e kundërshtoi tentativën e PS-së për të ndryshuar Rregulloren me procedurë të përshpejtuar.

”Ç’a vlere ka sa kapituj hapen kur shkelni Kushtetutën sa nis parlamenti?!”, tha ajo në Kuvend.

Edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu kërkoi nga mazhoranca që të tërhiqet nga ndryshimet e rregullores së Kuvendit dhe sipas tij po shkelet Kushtetuta.

“Ky Kuvend duhet ta nisë punën duke menduar për autoritetin që duhet të ketë Kuvendi i Shqipërisë. Jemi kthyer në një republikë kryeministrore, autokraci e dukshme Pushteti absolut, pjell korrupsion absolut. Historia e rregullores së Kuvendit, ka qenë histori mirëkuptimi politik. Dua të kujtoj që kjo nuk është salla e vetme e këtij Kuvendi. Kur është bërë rregullorja, kanë qenë bashkëkryetarë Ylli Bufi dhe Fatmir beja me përfshirjen e partnerëve dhe gjithë deputetëve. Ndryshimi njëanshëm krijon precedent negativ. Mendoj që kjo shkelje e kushtetutës për ta futur me procedurë të përshpejtuar dhe kërkoni të ndryshoni në mënyrë të njëanshme është e gabuar dhe duhet të kthehemi tek diskutimi i përbashkët”, tha Mediu.