Në takimin mes kreut të Kuvendit, Niko Peleshi dhe krerëve të grupeve parlamentare duket se nuk kanë munguar kundërshtimet mes palëve lidhur me riorganizimin e Komisioneve Parlamentare.
Kreu i grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në një komunikim për gazetarët nga Kryesia e Kuvendit, tha se me shkrirjen e Komisionit të Integrimit, që drejtohet nga opzoita, kjo e fundit, thotë ai, përjashtohet nga procesi i integrimit europian.
Bardhi e shprehu hapur pakënaqësinë për këto ndryshime dhe shtoi se me ndarjen e re, nga 3 komisione që drejtonte opozita më parë, tashmë të drejtojë një komision e gjysmë.
“I kemi bërë me dije zotit Peleshi dhe kryetarit të grupit parlamentar të mazhorancës se për opozitën është e papranueshme që na Asamblenë e PS të njoftohet mbi organizimin e Kuvendit të Shqipërisë. Këto janë mekanizma pune të përbashkëta të mazhorancës dhe opozitës. Si në cdo vend demokratik organizimi duhet të ishte produkt i përbashkët. Fakti i prezantimit të këtyre ndryshimeve në Asamblenë e PS, fakti i bërë sot i kryer me caktimin e kryetarëve dhe zv.kryetareve të PS tregon frymën autoritare që Rama ka instaluar në Shqipëri.
Së dyti kemi sqaruar se me veprimin e shkrirjes së Komisionit të Integrimit, mekanizmi që kishte në dorë opozita për të luajtur rolin konstruktiv dhe për të thënë konsensus në procesin e integrimit në këtë moment zërohet. Qëndrimi se nuk kemi shkrirë komisionin e integrimit, por të jashtëm, në fakt pasqyron atë që kemi thënë, vullnetin e mazhorancës për të përjashtuar opozitën nga procesi i integrimit evropian.
Së dyti na u soll si argument se kemi ndjekur modelin e organizimit të Bundestagut Gjerman. Cilido që njeh organizimin e komisioneve në Bundestag, e dinë që aty ka edhe komision të jashtëm, ka edhe komision të cështjeve evropiane. Grupi Parlamentar i PD i ka kërkuar institucioneve të Kuvendit të bëjë një studim si janë të organizuara komisionet parlamentar në rajon dhe si janë të organizuara komisionet në disa prej vendeve anëtarë të BE. Sipas studimit të vetë kuvendit, në të gjitha vendet ka edhe komision të integrimit evropian, ka edhe komision për punët e jashtme. Shqipëria bëhet i pari vend që jo thjesht përjashton opozitën nga procesi i integrimit, por i pari vend që nuk ka një komision të dedikuar për integrimin evropian”- u shpreh Bardhi përpara gazetarëve.