Si Rama po e kthen Shqipërinë në një “Firmë Shtetërore”

Të dhënat e publikuara nga “Open Data Albania”, tregojnë se në një periudhë katërvjeçare, qeveria Rama ka zgjeruar ndjeshëm rolin e shtetit në ekonominë shqiptare, duke themeluar gjithsej 51 kompani shtetërore.

Vetëm në vitin 2023, qeveria e drejtuar nga Edi Rama ka themeluar 7 kompani të reja. Ndërkohë, nëse në fillim këto kompani mund të dukeshin si shërbime bazike si ujësjellës dhe energji, tani shteti po e zgjeron aktivitetin në sektorë shumë më të sofistikuar.

Prodhimi ushtarak, menaxhimi i pronave shtetërore, infrastruktura, dhe shërbimet e parkimit janë vetëm disa nga fushat që janë shtrirë nëpërmjet këtyre kompani. Me këto lëvizje po krijohet një sistem ku konkurrenca është e kufizuar dhe mundësitë për të zhvilluar biznese të tjera të vogla apo të mesme janë shumë të kufizuara.

Një nga rreziqet kryesore të këtij fenomeni është fakti që kompanitë shtetërore, të krijuara dhe të drejtuara nga qeveria, shpesh kanë mundësi dhe privilegje që janë të paarritshme për kompanitë private.

Këto kompani marrin ekskluzivitet mbi shërbime të rëndësishme si menaxhimi i parkimeve, teknologjia dhe madje dhe prodhimi ushtarak. Kjo është një rrezik për lirinë e tregut, pasi mund të çojë në një sistem monopol ku fitimet dhe mundësitë janë të përqendruara në disa kompani të kontrolluara nga shteti dhe partnerët e tij privatë.

Shtimi i kompanive shtetërore dhe partneriteteve të tilla po krijon një terren të favorshëm për korrupsionin dhe përfshirjen e lidhjeve politike në vendimmarrje. Ky fenomen mund të çojë në një ulje të mundësive për konkurim të ndershëm dhe të hapur, duke dëmtuar ndjeshëm zhvillimin ekonomik të vendit.

Procesi i themelimit të këtyre kompanive shtetërore po sjell një përqendrimin e fuqisë ekonomike në duar të pakta. Kompanitë e reja shtetërore po shtrihen në sektorë të tillë si infrastruktura dhe shërbimet e parkimit, që janë jetike për qytetarët dhe bizneset, duke i dhënë shtetit një lloj kontrolli të drejtpërdrejtë mbi sektorët kyç të ekonomisë

Shqipëria rrezikon të kthehet në një ekonomi të kontrolluar nga një grusht njerëzish dhe institucione, pothuajse siç ishte në kohën e komunizmit, ku ndërmarrjet shtetërore kishin gjithçka në duart e tyre.