Tom Doshi dhe Sabina Jorgo, pjesë të listës fituese të Partisë Social Demokrate (PSD) në zgjedhjet e 11 majit, kanë hequr dorë nga mandati i deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Lajmi u bë i ditur nga deputetja e PS, Milva Ekonomi, e cila paraqiti raportin e Komisionit të Verifikimit të Mandateve.
Vendimi i Tom Doshit dhe Sabina Jorgos ka ardhur pak para se të rifillonte mbledhja e Kuvendit, për betimin e ligjvënësve.
Ndërkohë në Kuvend po vijon betimi për 138 deputetët e tjerë.
Pas dorëheqjes së Doshit dhe Jorgos, mandati pritet t’i kalojë dy më të votuarve në qarkun Shkodër, Besnik Brahimi 3614 vota dhe Shkurt Lasku 2678 vota.
Kujtojmë se Kuvendi i ri i dalë nga zgjedhjet e 11 majit u mblodh sot për herë të parë. Seanca drejtohet nga Vasil Llajo si deputeti më i vjetër që pranoi ta ushtronte si funksion pasi Sali Berisha dhe Tritan Shehu refuzuan.
Më herët gjatë paradites, u ngrit edhe komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve, që i hapi rrugë betimit të deputetëve të rinj.