Përpjekja e dy të rinjve shqiptarë për t’u arratisur me një makinë të vjedhur përfundoi në tragjedi mëngjesin e së premtes në Bologna të Italisë.
Mediat italiane shkruajnë se makina “Audi”, e cila rezultoi e vjedhur, u përplas me një shtyllë teksa po ndiqej nga policia.
Për pasojë ndërroi jetë njëri prej tyre, 18-vjeç, ndërsa tjetri, 19-vjeç, u dërgua në spital me lëndime në trup, por pa rrezik për jetën.
Aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit, kur dy të rinjtë po i iknin policisë, e cila i ndaloi në një semafor për kontroll. Por kur semafori u ndez jeshil, ata u larguan me shpejtësi me makinë.
Në raportin e saj, Policia pohoi se e humbën nga sytë automjetin, i cili po udhëtonte me mbi 200 km/orë, dhe më vonë e pikasën të përplasur.
Sakaq, 19-vjeçari i plagosur nuk rezulton me precedentë penalë. Kurse viktima kishte qenë i dënuar më parë për vjedhje dhe rezistencë gjatë arrestimit nga policia.