Protesta masive në Francë, qytetarët të zemëruar me politikat e Macron

Protestuesit demonstruan në të gjithë Francën të mërkurën, duke ndërprerë trafikun, duke djegur kazanë plehrash dhe herë pas here duke u përleshur me policinë në një përpjekje për të “Bllokuar Gjithçka” në shenjë zemërimi ndaj klasës politike dhe shkurtimeve të planifikuara të buxhetit, shkruan Reuters.

Forcat e sigurisë u vendosën në të gjithë vendin për të hequr çdo bllokadë sa më shpejt të ishte e mundur, thanë zyrtarët, që do të thotë se Franca, për momentin, nuk ishte e bllokuar. Gati 200 protestues u arrestuan në të gjithë vendin dhe pati disa përleshje.

Shumë demonstrues shprehën zemërimin e tyre kundër Presidentit Emmanuel Macron, i cili tashmë po përballet me trazira politike pasi opozita parlamentare u bashkua për të mposhtur qeverinë e tij të hënën.

“Është e njëjta gjë, është e njëjta gjë, është Macron ai që është problemi, jo ministrat”, tha Fred, një përfaqësues i degës së transportit publik RATP të sindikatës CGT në një protestë në Paris.

“Ministrat, janë një problem, por është më shumë Macron dhe mënyra e tij e punës, që do të thotë se ai duhet të largohet.”

Në Paris, policia qëlloi me gaz lotsjellës ndaj protestuesve të rinj që bllokonin hyrjen e një shkolle të mesme dhe zjarrfikësit hoqën objekte të djegura nga një barrikadë.

Policia tha se kishte ndaluar një grup të madh prej rreth 1,000 protestuesish që të hynin në stacionin e trenit Gare du Nord në qytet.

Ministri i Brendshëm Bruno Retailleau u tha gazetarëve se protestuesit kishin djegur një autobus në qytetin perëndimor të Rennes. Ai tha gjithashtu se disa protestues kishin sulmuar policinë me kalldrëm të rëndë, por nuk specifikoi se ku.

Vala e protestave që i ngjan atyre të “jelekëve të verdhë” vjen në një kohë krize për qeverinë e Francës.

Pas humbjes së votëbesimit të kryeminisrtrit Bayrou, Macron priotet të emërojë sot kryeministrin e ri, Sebastien Lecornu, i katërti në vend brenda rreth 12 muajve.

Ky i fundit ka shërbyer më herët si ministër i Mbrojtjes ndërsa emri i tij ka shkaktuar pakënaqësi ende pa u zgjedhur.