Izraeli urdhëron evakuimin e plotë të qytetit të Gazës, Netanyahu: Ky është vetëm fillimi

Izraeli ka dhënë urdhër për evakuimin total të qytetit të Gazës, ku jetojnë rreth një milion palestinezë, në prag të një ofensive tokësore të re kundër Hamasit.

Ushtria izraelite njoftoi se do të ndërmarrë operacione me “forcë të madhe” në të gjithë zonën urbane, ndërsa u kërkoi banorëve të largohen menjëherë drejt Al-Mawasi, përmes boshtit Rashid.

Mesazhi u përhap përmes deklaratave zyrtare dhe fletëpalosjeve të hedhura nga ajri, duke treguar rrugën e evakuimit nga veriu drejt jugut.

Kryeministri Benjamin Netanyahu paralajmëroi se “ky është vetëm fillimi i një manovre të intensifikuar”, ndërsa bombardimet ndaj ndërtesave të larta në qytet janë shtuar ndjeshëm ditët e fundit. Ai theksoi se pushtimi i qytetit është vendimtar për shkatërrimin e Hamasit.

Sipas OKB-së, një përshkallëzim i tillë mund të çojë në zhvendosje masive, vdekje të civilëve dhe një katastrofë humanitare. Deri tani, vetëm 70,000 njerëz janë larguar nga qyteti, më pak se 10% e popullsisë.

Ndërkohë, brenda vetë Izraelit po zhvillohen protesta kundër ndërhyrjes në Gaza, me shqetësime për sigurinë e pengjeve dhe jetën e ushtarëve.

Autoritetet izraelite paralajmërojnë gjithashtu se do të reduktojnë hyrjen e ndihmave në veri dhe planifikojnë të rrisin numrin e kampeve me çadra në jug, për të përballuar valën e pritshme të të zhvendosurve.