Viti i ri shkollor nis me probleme të vjetra, 112 mijë nxënës më pak në një dekadë

Këtë të hënë ka nisur zyrtarisht viti i ri shkollor 2025–2026 në të gjithë vendin. Gjithsej janë 345 mijë nxënës, që janë rikthyer në bankat e shkollës, nga arsimi fillor deri në të mesmen.

Sipas një njoftimi të publikuar nga Ministria e Arsimit, këtë vit janë në shërbim 31 mijë mësues në të gjithë sistemin arsimor.

Ajo që vihet re është rënia drastike e numrit të nxënëse në të gjithë vendin, kjo e ndikuar nga lëvizjet demografike si dhe nga plaga e vjetër e emigracionit.

Konkretisht, në qytetin e Korçës viti i ri shkollor nis me një rënie të ndjeshme të numrit të nxënësve. Krahasuar me një vit më parë, janë 3 726 më pak, duke e ulur shifrën nga 21 080 në 17 354 nxënës.

Kjo situatë ka bërë që disa shkolla të bashkohen, ndërsa dhjetëra klasa të para nuk janë hapur pasi nuk kanë pasur regjistrime. 

Krahas numrit të ulët të nxënësve, shumë shkolla në zona të thella rurale vuajnë mungesën e transportit duke krijuar problematika në arsimimin e fëmijëve.

Gjatë një dekade, të dhënat tregojnë nga viti 2015 deri më 1 janar 2025, numri i nxënësve në arsimin parauniversitar ra më mbi 31%, ose 112 mijë më pak.