Skandal në Malin e Zi/ Ndërpritet filmi në gjuhen shqipe, asnjë reagim nga ambasada

Një ngjarje e paprecedent ndodhi më datë 3 shtator gjatë festivalit të filmit Xhada, në Podgoricë të Malit të zi, ku filmi “Lejleku” i regjisorit nga Kosova, Isa Qosja, u ndërpre në mes pas kërkesës së një grupi njerëzish që po ndiqnin këtë festival.

Shkak për ndërprerjen e filmit ishte për shkak të gjuhës shqipe. Raportohet se gjatë festivalit mbërriti edhe policia ndërsa organizatorët e ndërprenë filmin shqiptar.

“Pasi një grup individësh shprehën pakënaqësi për shkak të shfaqjes së filmit, vendosëm që, për arsye sigurie, ta ndërprisnim shfaqjen. Policia, sipas detyrës zyrtare, mbrëmë doli në vendngjarje”, deklaruan organizatorët e festivalit.

Ky skandal ka kaluar në heshtje për Shqipërinë. Edhe pse kanë kaluar dy ditë që kur filmi u ndërpre për shkak të gjuhës shqipe, ambasadorja e Shqipërisë në Malin e Zi, Zhaklina Peto nuk ka bërë ende asnjë reagim.

Postimi më i fundit i ambasadores është i pak orëve më parë, lidhur me shënjterimin e Nënë Terezës, por ajo nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar, ku një film ndërpitet nga një grup njerëzish vetëm për shkak se ishte në gjuhën shqipe.

Lidhur me këtë incident, pati një reagim nga delegacioni i Bashkimit Europian në Malin e Zi, të cilët shprehën të shqetësuar se një shfaqje e filmit në festivalin Džada të financuar nga BE u ndërpre me dhunë.

“Delegacioni i BE-së është i shqetësuar nga raportimet se një shfaqje e filmit në festivalin Džada të financuar nga BE u ndërpre me dhunë. Liria e shprehjes artistike është një pjesë integrale e lirisë së fjalës dhe një nga vlerat thelbësore demokratike.”, thuhet në deklaratën e delegacionit të BE-së në Mal të Zi. 

Filmi “Lejleku”, i regjisorit nga Kosova Isa Qosja, u shfaq premierë në shtator të vitit 2024 në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit PriFest në Prishtinë.

Ngjarja zhvillohet në fshatin e braktisur Vuthaj, të banuar me popullsi shqiptare, në kufirin malazezo-shqiptar.

Tema e emigracionit rrëfehet përmes historisë së tri brezave të grave fatkeqe.