Detaje të reja janë mësuar nga një rrjet i kontrabandës së naftës në Greqi ku ishin të përfshirë një biznesmen shqiptar dhe shoferi i tij. Bashkim Sulkaj 66 vjeç dhe Astrit Deliaj 67 vjeç, janë arrestuar nga policia greke në lidhje me një operacion të gjerë kundër kontrabandës së naftës.
Mediat greke bëjnë me dije se biznesmeni Sulkaj rezulton se është pronar karburantesh në Maliq dhe Tiranë. Ai është pjese e një organizate të themeluar nga greku Thomas Stefanakos ndërsa bashkëpunonin me persona ende të paidentifikuar në disa shtete si Shqipëri, Bullgari dhe Poloni.
Gjatë hetimit u zbulua se prej fillimit të vitit 2025, organizata ka fituar rreth 3.000.000 euro, duke marrë parasysh sasitë e karburantit të kontrabanduar dhe të falsifikuar dhe ndërhyrjen-ndryshimin e pajisjeve matëse në sistemin hyrës-dalës në një përqindje të zgjedhjes së tyre.
Sipas dosjes hetimore, mes të tjerash zbulohet edhe kontrabanda e karburantit përmes doganës së Kapshticës, ndaj hetimet janë shtrirë edhe në Shqipëri. Në të paktën 5 raste të ndryshme është vërejtur sipas dokumentacionit manipulimi i ngarkesave dhe shifrave, me qëllim kontrabandën për përfitim.
Mediat fqinje kanë publikuar edhe pasazhe të kësaj dosje dhe goditjes së rrjetit të kontrabandës së naftës, ku biznesmeni shqiptar ka patur një rol kyç.