Makina merr para një grup fëmijësh në Gjermani, tre të lënduar

Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të enjte në kryeqytetin gjerman, ku një makinë përplasi një grup njerëzish në trotuar, në zonën e Berlin-Wedding, në veriperëndim të qytetit.

Mjeti i përfshirë në aksident ishte një BMW, i cili, sipas burimeve të gazetës Bild, përplasi një grup fëmijësh të moshës 7 deri në 8 vjeç.

Në momentin e aksidentit, në vendngjarje ndodheshin rreth 15 fëmijë, prej të cilëve tre mbetën të plagosur dhe u transportuan menjëherë në spital.

Gjithashtu, shoqëruesi i tyre u plagos rëndë, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur më shumë detaje mbi gjendjen shëndetësore të të lënduarve.

Policia gjermane ka arrestuar shoferin e mjetit në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit.