Përdorte të miturit për vjedhje, arrestohet 30-vjeçari në Tiranë

Një 30-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi akuzohet se rekrutonte dhe nxiste tre të mitur që, të organizuar si grup, kryenin vjedhje në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Sipas njoftimit zyrtar, i arrestuari ka qenë më parë i dënuar për të njëjtën vepër penale dhe ka vijuar aktivitetin kriminal duke përfshirë të mitur në veprimtarinë e tij.

Gjatë operacionit janë sekuestruar sende të vjedhura si dhe mjete që dyshohet se përdoreshin për konsumimin e lëndëve narkotike nga i arrestuari.

Aktualisht vijon puna për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e rasteve të tjera të ngjashme.